Loading...

SHBA-BE rrisin presionet ndaj politikës dhe Vettingut: Deri në fund të vitit gati KLGJ e KLP. Çfarë pritet të ndodh më pas

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë rritur përpjekjet për të ngritur organet e reja të drejtësisë. Teksa KLGJ e KLP po hasin vështirësi në gjetjen e anëtarëve, mësohet se ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj politikës dhe organeve të vettingut. ”SOT” shprehet se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar nga KPK që të mos ketë më asnjë vonesë dhe të ecet me ritme të njëjta si në muajin korrik. Po ashtu, i njëjti mesazh ka shkuar dhe për Kolegjin e Apelimit.

Në shtator ligji që pritet të diskutohet është ai për magjistratët, ku synohet që të emërohen 50 gjyqtarë e prokurorë. PD e LSI janë rreshtuar kundër, por gazeta ka mësuar se me eksponentë të caktuar të këtyre dy partive ka pasur kontakte të vazhdueshme nga përfaqësues të ambasadave dhe eksponentë të Komisionit Europian. Atyre u është kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë. Por nga ana tjetër, një çështje të cilën kërkojnë përfaqësuesit e EURALIUS dhe OPDAT në Tiranë të mbyllet sa më shpejt, është ajo e mendimit të neneve që rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

Kjo gjykatë ka shfuqizuar nenet kryesore të ligjit për organet e reja të drejtësisë dhe pa ndryshimin e tyre, KLGJ e KLP nuk mund të marrin asnjë vendim. Këto dy institucione janë duke punuar për të hartuar nenet e reja dhe mësohet se është kërkuar nga politika angazhim që të bëhen sa më shpejt ndryshimet e kërkuara. Bashkimi Europian e tha qartë në qershor se pa u ngritur organet e reja, e veçanërisht SPAK, nuk do ketë integrim në Bashkimin Europian. Ngritja e SPAK bëhet 2 muaj pas ngritjes së KLP dhe sa kohë që kjo e fundit vonon, po ashtu zvarritet dhe lufta antikorrupsion. Për këtë arsye ndërkombëtarët duket se kanë filluar të vënë në rresht politikanët shqiptarë.

Arrestimet në politikë

”SOT” gjithashtu ka mësuar se plani i ONM dhe ai ambasadës së BE dhe asaj të SHBA është që deri në fund të vitit Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të jenë ngritur. Momentalisht ngërçi qëndron te mungesa e përfaqësuesve nga Apelet. Si KLP ashtu dhe KLGJ do kenë nga 11 anëtarë secila. Nga 5 janë zgjedhur dhe vijnë nga shoqëria civile dhe avokatia. Pjesa tjetër janë gjyqtarë e prokurorë. Por nga këta, 2 prokurorë të KLP duhet të jenë nga Apeli dhe 1 duhet në Tiranë, e tjetri nga rrethet. E njëjta gjë dhe për gjyqtarët e KLGJ. Por për KLGJ nuk ka përfaqësues nga rrethet, ndërsa për KLP nuk ka prokurorë Apeli nga Tirana. Më 6 shtator mbyllet gara për anëtarët e KLGJ dhe gazeta ka mësuar se emrat që do shfaqin interes do jenë prioritarë në sitën e vetingut. Shpresat janë që deri në fund të tetorit të ketë mbaruar rivlerësimi dhe më pas deri në dhjetor të ngrihen KLGJ e KLP. Dy muaj më pas, që i bie rreth janarit ose shkurtit SPAK dhe Byroja e Hetimit duhet të jenë ngritur dhe më pas nis goditja në nivele të larta. Plani është që deri në maj të kenë shkuar para drejtësisë disa pushtetarë të lartë, me qëllim hapjen e negociatave./pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com