Pavarësisht se kanë kaluar procesin e parë të Vetting-ut, SHBA dhe BE po ushtron presion për disa emra që janë ende në sistemin e drejtësisë, duke kërkuar largimin e tyre. Një qëndrim të tillë SHBA e BE e kanë shprehur përmes organeve ligjzbatuese të tyre të vendosura pranë komisioneve të Vettingut, përmes të cilëve ushtrojnë presion mbi kryeministrin Edi Rama që të heqë dorë nga njerëz të tillë si Xhezair Zaganjori dhe Bashkim Dedja.
Të rikonfirmuar në detyrë, përkatësisht Xhezair Zaganjori kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Bashkim Dedja kreu i Gjykatës Kushtetuese, për SHBA dhe BE ata janë një investim i shkuar dëm dhe nuk mund të hedhin financimet e tyre për njerëz të tillë që kanë probleme me pasurinë. Por me sa duket nuk është vetëm pasuria ajo që është fiksuar në “radarët” e tyre, por janë dhe elementë të tjerë shtesë që i bëjnë të papërshtatshëm për drejtësinë e re Zaganjorin dhe Dedjan.
Kështu që, kapitulli i rivlerësimit për Kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, meqë rasti është më i freskët, nuk mund të konsiderohet i mbyllur, pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, organi i përbërë nga ekspertë europianë e amerikanë, që ndjekin procesin, i ka rekomanduar, Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e KPK.
Përmes një njoftimi zyrtar, Komisionerët Publikë, shpjeguan se pasi t’u jetë njoftuar “vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”. Vendimi për kreun e Gjykatës së Lartë u mor më 24 korrik, dhe KPK, sipas ligjit, ka afat 30 ditë, për t’ia njoftuar me shkrim Komisionerëve, të cilët nga ana e tyre kanë 15 ditë kohë, për të vendosur nëse do të bëjnë ose jo ankimim.
Nuk shpjegohet zyrtarisht ende arsyeja për të cilën ONM-ja ka sugjeruar ankimimin e vendimit, ndonëse dhe vetë Komisioni i Pavarur, gjatë seancës dëgjimore me Zaganjorin, foli për një seri problemesh që sipas tij kishte gjetur, falë një hetimi të thelluar. Sipas relacionit të bërë publik, kryetari i Gjykatës së Lartë rezultonte të kishte bërë deklarata të pasakta, të pamjaftueshme dhe fiktive si dhe kishte mungesë të burimeve financiare, lidhur me një apartament në qendër të Tiranës, një mjedis për zyrë, një bodrum dhe një dyqan.
Të gjitha në një godinë të vetme, që sipas Zaganjorit nuk ishin blerë, por ishin ndërtuar në një truall të trashëguar nga familja e bashkëshortes. Ndaj tij megjithatë, Komisioni ngriti pretendimin se nuk kishte paguar detyrimet ndaj shtetit për qeratë e perfituara, apo dhe se kishte mospërputhje për shpenzimet e shkollimit të fëmijëve, të deklaruara më të ulta se sa kishin rezultuar nga verifikimet e bëra nga vetë Komisioni.
Zaganjori, i cili përveç të ardhurave nga pagat mujore dhe qeratë, ka deklaruar dhe përfitime të larta financiare nga puna pranë një instituti në Gjermani, deklaroi se i kishte ofruar komisionit afër 40 faqe me shpjegime dhe dokumenta, për të gjitha pikëpyetjet e ngritura gjatë procesit, në fund të të cilit ai u konfirmua nga KPK.
Rasti i zotit Zaganjori është i ngjashëm me atë të kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Edhe ky i fundit u konfirmua nga KPK por sërish ONM-ja kërkoi apelimin e vendimit. ONM depozitoi kërkesën dhe argumentet përkatëse në lidhje me ankimin kundër vendimit të Komisioni të Pavararur të Kualifikimit për Dedjan. Sipas ONM, Dedja s’arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë. Gjyqtari Dedja i cili kaloi vettingun, do ti duhet që të përballet dhe me Komisionin e Posaçëm të Apelimit.
Dhe Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga OMN për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara KPK, subjekti i rivlerësimit, Bashkim Dedja, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.
Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr. 24, datë 13.6.2018, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Po krerët e dy gjykatave më të larta në Shqipëri nuk kanë besueshmërinë dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe gjasat janë që të lënë detyrat respektive që kanë. Presioni tashmë është mbi Edi Ramën, por dhe mbi kupolën politike Berisha, Meta, Basha dhe Monika, të cilët mbështesin kryeministrin në zhbërjen e reformës në drejtësi./Pamfleti