Vetëm këtë sezon, nga janari, Laguna e Nartës me qendër Zvërnecin u vizituan nga rreth 30 mijë turistë të natyrës, të vëzhgimit të shpendëve dhe ata që preferojnë dunat detare për një plazh të pastër e të qetë. Ky numër është sa dyfishi i vizitorëve që qëndruan në këtë territor gjatë gjithë vitit 2017. Këto statistika i jep për ATSH-në, Nexhip Hysolakoj, përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit të lagunës në Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) e Vlorës.
Nexhipi thotë se “sezoni veror po shkon drejt përfundimit dhe ajo që mund të themi me siguri është se numri i vizitorëve ishte, si asnjë herë më parë, pa dyshim më i larti deri më tani. Ajo që turistët, shqiptarë edhe të huaj, duket se vlerësojnë së tepërmi është ambienti i paprekur që i bën ata të impresionohen në çast nga natyra e mrekullueshme. Një atraksion ishte dhe ura e re karakteristike e punuar me mjeshtëri dhe artistikisht. Megjithatë turistët vazhdojnë ende të shprehin ndonjë pakënaqësi në lidhje me kushtet e infrastrukturës rrugore që të çon në këtë perlë të natyrës shqiptare”, thotë Nexhipi.
Më tej ai shpjegon se një sukses në numrin në rritje të këtij sezoni luajti edhe Projekti ”Smile Albania”që orientoi dhe dha informacion të saktë për vendet që mund të vizitojë një turist. Po kështu, ai përmend edhe stafin me specialistë të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Vlorës që me profesionalizëm shoqëruan vizitorët e huaj në vendet më atraktive siç ishujt e shumtë dhe Laguna e Flamingove.
“Zvërneci është futur në Projektin e 100 fshatrave dhe zhgënjimi nga infrastuktura me mangësi do të duhet të shuhet së shpejti, ndërkohë që, referuar projektit “100 fshatrat”, qeveria është duke punuar për ta kthyer këtë vend në një atraksion turistik që do të ofrojë të gjitha kushtet normale për një turizëm të qëndrueshëm. Le të shpresojmë se sezoni tjetër do të jetë edhe më i suksesshëm, duke parë se premisat janë përgjithësisht pozitive. Kuptueshëm, Zvërneci do të qëndrojë në majë të atraksioneve turistike kombëtare në një të ardhme të afërt. Është koha që të vlerësojmë pasuritë e trashëguara, t’i respektojmë si për të respektuar vetveten dhe t’i kultivojmë në të mirën e shoqërisë”, përfundon prononcimin e tij për ATSH-në, Nexhip Hysolakoj, përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit të lagunës në Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) e Vlorës. /atsh