Rehatllëku i pushtetarëve që na kanë bërë “jetën zi”, (vetë)trajtohen me taksat e popullit, sikur na kanë bërë “vezën e kuqe”.
Në këtë moment, që në mijëra familje shqiptare, bëhen përgjërime e lutje për bukën e gojës, shtetarët që marrin paga sa 30-40 pensione mujore dhe dieta e pagesa projektesh, bordesh e aferash të shumta, po shijojnë familjarisht pushime qejfi në vilat dhe rezidencat qeveritare, trajtuar me shpenzime të paguara nga taksat publike.
Pushtetarët trajtohen me privilegje personale e familjare, gjatë kohës që janë në detyrë, gjatë pushimeve e 2-4 vjet pas lënies së detyrave, me VKM Nr.34, date 07. 01. 1999, të “rilindur” me VKM Nr. 620, datë 01. 11. 2017, sipas të cilës kanë të drejtë të strehohen e pushojnë kur të duan, sa të duan dhe në cilën rezidencë qeveritare të duan, pa llogaritur punësimin e familjarëve në zyra shteti, që e zgjedhin sipas dëshirës.
Me këtë vendim qeverie, shtetarët që na kanë bërë “jetën zi”, po vetë-trajtohen me privilegje, sikur na kanë bërë “vezën e kuqe”, duke shijuar saraje e jetë private Sheik-ësh, me milionat e zhvatura prej korrupsionit dhe jetë e pushime luksi, me ushqime, roje e shërbëtorë të paguar me taksat e popullit.
“PAMFLETI”, po publikon sot, privilegjet që kanë pushetarët për strehim, qira e mobilim banese, ushqim, transport dhe pushime familjare në vilat qeveritare, ose private me ushqime e shërbëtorë të paguar nga shteti.
Ja privilegjet, që shijojnë shtetarët dhe i paguajnë shqiptarët
Presidenti, Kryeministri, Kryetari Kuvendit dhe familjet e tyre, kur banojnë në rezidenca qeveritare, por dhe në banesat e tyre private, trajtohen me pagesat e shtetit për banim, pushim, furnizim me artikuj ushqimor-industriale, trajtim mjekësor dhe personel shërbimi.
Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, u jepet për banim, nga 1 rezidencë e pajisur me mobilje dhe pajisje të plota.
Presidenti, Kryeministri, Kryetari Kuvendit, kur banojnë vetëm në banesat e tyre, shteti i pajisë me mobilje e mjete përkatëse, vetëm dhomën e pritjes dhe punës.
Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, shteti u përballon mirëmbajtjen e rezidencave qeveritare dhe banesave private.
Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, shteti i paguan shpenzimet për qiranë banimit, ujë, energji elektrike dhe ngrohje në rezidencat qeveritare, ose kur banojne në banesat e tyre.
Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe familjeve të tyre, gjatë pushimeve u vihet në dispozicion nga një apartament në rezidencat qeveritare, shteti paguan shpenzimet për qira, ushqim, ujë, energji elektrike, ngrohje, lidhje telefonike-interent.
Ish-Presidenti Republikës, për 4 vjet pas mbarimit të mandatit, përfiton me pagesë nga shteti, mjedise pune, sekretare, punonjës sigurie, shofer, automjet, karburant, punonjës pastrimi, punonjës mirëmbajtjeje mjedisesh, energji elektrike, ujë, telefoni fikse, internet./Pamfleti