Ka rreth 6 vite që ruan ish-Laboratorin e Mbrojtjes së Mjedisit në Pogradec dhe për këtë punë nuk e paguan askush. Kjo është historia e 65-vjeccarit Isa Balliu, i cili u punësua nga një shoqëri e sigurisë private për ruajtjen e këtij objekti 17 vite më parë, por marrëdhënia e tij e punës u ndërpre në dhjetor të vitit 2012, kur ky laborator rreshti së funksionuari.
Prej asaj kohe, Isai vazhdon të ruajë objektin, pa marrë asnjë gjë në këmbim. Laboratori u ndërtua me një vlerë disa miliona dollarë, financim i Bankës Botërore, por pas mbylljes së tij pajisjet dhe çdo material tjetër u lanë në ndërtesë, ndërkohë që mbi Isain rëndon përgjegjësia e ruajtjes së tyre.
Edhe pse ai është njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, askush nuk e ka shkarkuar nga përgjegjësia e materialeve, madje gojarisht i është kërkuar që të vazhdojë të ruajë objektin. Frika se, nëse largohet gjithçka do të vidhet, e mban ende të lidhur moralisht me objektin. Isai, shpeshherë u është drejtuar me shkresa instancave për të marrë një zgjidhje, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje.