Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike.
Kështu vlerëson Banka e Shqipërisë në raportin tremujor të politikës monetare.
Në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues.
Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me rritjen e punësimit dhe rënien në 12.5% të normës së papunësisë.
Kjo normë përbën nivelin më të ulët historik të papunësisë të regjistruar në Shqipëri dhe sugjeron një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend.
Në përgjigje të saj, INSTAT-i raporton se paga mesatare reale u rrit me 2.3% në tremujorin e parë, çka përbën një premisë pozitive për forcimin gradual të presioneve të brendshme inflacioniste./atsh