Loading...

Rreziku nga zjarret, Ministria e Mbrojtjes në gatishmëri me kapacitet të plotë

Ministria e Mbrojtjes, përmes Forcave të Armatosura e Drejtorisë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile është në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyrore.

Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, me stacionet e MZSH-së në bashkitë e qarqeve, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor. Nga parashikimet e marra edhe nga IGJEUM, (Instituti i Gjeo-shkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit), në të gjithë territorin e vendit nuk ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme apo premisa për ndodhjen e tyre.

“Së bashku me Forcat e Armatosura, do të jemi në ndihmë të strukturave të pushtetit vendor, për të ndihmuar në rast të situatave të zjarreve. Edhe një herë i bëj apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale. Çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo me paramendim ndëshkohet me ligj”, deklaron ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka.

Këtë vetë Forcat e Armatosura kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve gjatë këtij sezoni veror. Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të posaçme për shuarjen e zjarreve, me kapacitet 2500 litër secila./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com