Loading...

Rrëfimi i ish-ministrit: Grabitja e kamionit me fletë votimi, batutat me Nanon dhe Metën

Ish-ministri i qeverisë së stabilitetit, Ylli Çabiri rrëfen në një libër ndodhitë e padëgjuara në politikën shqiptare si dhe çuditë në zgjedhjet e para parlamentare demokratike, që u mbajtën në vitin 1992.

Le të themi të vërtetën, gjithnjë të vërtetën! Të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim”. Me këtë thënie të Faik Konicës, dr. Ylli Çabiri i jep jetë veprës së tij voluminoze, me një titull optimist, shpresëdhënës: “Shqipëria mund të bëhet”, hedhur këto ditë në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”.

Që në faqet e para, autori kërkon ta “qetësojë”, por edhe ta ftojë lexuesin të lexojë një libër, që nuk është studim apo raport, por fryt i një eksperience të gjatë pune, të një njeriu që ka qenë pjesë e qeverisjes së vendit dhe ka parë nga afër se ku çalon makineria e rëndë e pushtetit.

Libri nuk është ndërtuar mbi kapituj, por rekomandime. Janë 125 syresh mbi mënyrën e qeverisjes, për ministritë, këshilltarët, raportet me jashtë, zgjedhjet etj. Çdo këshillë apo rekomandim del prej eksperiencës së punës dhe herë pas here, Çabiri rrëfen edhe episode ngjarjesh, copëza historish të jetuara, që në kthejnë pas në kohë, që hedhin dritë për momente të caktuara, por edhe bëhen mësim për të ardhmen.

Ylli Çabiri
Ylli Çabiri

Kështu, autori na tregon për kohërat kur qeveria nuk kishte para as për të siguruar fletët e votimit për zgjedhjet; për mënyrën sesi drejtonte partinë Fatos Nano apo për kaosin e qeverisjes gjatë qeverisë “Meta 2”; batutat me Metën e Nanon. “Shqipëria mund të bëhet” është një libër që ia vlen ta lexosh jo vetëm për këshillat e vlefshme, por edhe për mënyrën e të shkruarit, ku serioziteti i inxhinierit, ish-ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, ndërthuret me rrëfime me nota humori e ironie.

YLLI ÇABIRI

PJESË NGA LIBRI “SHQIPËRIA MUND TË BËHET”

Qeveria teknike me Kryeministër Vilson Amhetin qëndroi në punë aq sa kishte mandatin e miratuar, por ajo kishte funksione shumë të kufizuara, të mandatuara nga Kuvendi i Shqipërisë, të fokusuara kryesisht në përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe në sigurimin e ndihmave ushqimore. Kjo qeveri qeverisi pa autoritetin e duhur reformues, gjë që çoi në humbje kohe për proceset e tranzicionit dhe për ato të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Mendoj se qeveri të tilla nuk i bëjnë mirë Shqipërisë, jo vetëm prej mandatit shumë të kufizuar, por edhe sepse qeveri të tilla kanë frikë ose nuk janë të lejuara të marrin vendime për çështje thelbësore të zhvillimit. Këto lloj qeverish janë ndalim kohe. Ato krijohen vetëm për të plotësuar tekat apo interesat e politikës dhe jo për të mirën e vendit. Pse? A nuk i dha Kuvendi Qeverisë Teknike mandatin për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme me justifikimin se vetëm një qeveri teknike mund të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme?

Kjo ishte në fakt skema që u paraqit nga Z. Berisha: bie qeveria e stabilitetit dhe zgjedhjet e parakohshme përgatiten nga një qeveri teknike. Por ç’ndodhi në realitet me këtë funksion? Qeveria s’kishte para të shtypte fletë votimi të sekretuara. E si mund të kishte, kur ministrat shkonin me shërbim jashtë shtetit dhe nuk u jepej asnjë dollar në xhep. Vilsoni më thirri dhe më kërkoi të gjeja një zgjidhje me ndonjë të huaj kundrejt ndonjë ‘favori’. E gjeta zgjidhjen me një tregtar nga Bari.

Ky telefonoi një darkë vonë dhe më tha se ka nisur me traget dy kamionë të ngarkuar me fletë votimi të sekretuara dhe me numër sa dyfishi i kërkesës. Me tri elemente sigurie, e fotokopjuar bodrumeve të Bankës së Shqipërisë, në fletë me tre elemente të tilla. Goxha avancim për kohën. Vilsoni urdhëroi gardën e Republikës t’i priste makinat në Portin e Durrësit dhe t’i shoqëronte. U vendos që kamionët të shkarkoheshin në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë dhe fletët të ruheshin në tunelin e saj. Se bëhej fjalë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo ishte detyra kryesore e kësaj qeverie! Unë dhe kryeministri, atë mëngjes qëndruam në këmbë në oborr për të ndjekur kurorëzimin e kësaj shpikjeje operacionale.

Prisnim me padurim të shikonim ‘veprën’ tonë. Por erdhi vetëm një kamion. I dyti jo! Komandanti i Gardës raportoi që makina e dytë u mor nga zoti…, i partisë opozitare. Kaos total! Si u mor, përse u mor, ku shkoi, kush e dha urdhrin etj., etj., ishin pyetjet që bëmë për gjysmën e sasisë së fletëve të votimit, që nuk u dihej fati. Më kot! Çdo gjë u zhduk pa lënë asnjë gjurmë, përfshirë kamionin. Zgjedhjet e lira e të ndershme u realizuan. S’kishte më të lira e më të ndershme. Shembull i lirisë dhe i ndershmërisë! Nuk mbeti raport e organizëm ndërkombëtar pa i përmendur si zgjedhje model apo si zgjedhje referente.

Ndërsa unë vazhdoja të kisha pikëpyetjen e kamionit të zhdukur. Jo për shumë kohë. Dy inxhinierë të sistemit të ngrohjes u thirrën në godinën e Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit për të vënë në punë kaldajën e ngrohjes dhe aty gjetën pirgje me fletë votimi të plotësuara, të hedhura andej këndej. Më në fund e zgjidha në mendjen time enigmën e kamionit të humbur. Po Ndërkombëtarët, si ka mundësi që i përdorën si model këto zgjedhje, duke i përmendur e referuar si etalon i zgjedhjeve të lira e të ndershme: ju mund t’i bëni si i keni bërë një herë në vitin 1992 me qeverinë teknike!

Elozhet ndërkombëtare vazhduan vite me radhë dhe në çdo raport, shqiptarëve u jepej kurajë për zgjedhje të lira e të ndershme, sepse ata i paskëshin realizuar zgjedhjet brenda standardeve ndërkombëtare që në vitin 1992. Disa forca politike që kishin fituar bindshëm zgjedhjet e vitit 1992 e pomponin më tej këtë rast ‘pozitiv’ që solli demokracinë, aq sa filloi të besohej nga të gjithë se demokracia në Shqipëri kishte ardhur në vitin 1992 me këto zgjedhje e jo më parë.

Zgjedhje të lira e të ndershme! Më dukej një tallje, butafori e frikshme e gjithë kjo. Përkundrazi, sipas meje, këto lloj zgjedhjesh instaluan përfundimisht mendësinë se ne për shumë vite nuk do të mund të bënim zgjedhje të lira e të ndershme, se gjithçka ishte një lojë dhe se fitorja mund të sigurohej pa asnjë diskutim në tavolinë dhe për këtë mjaftonin disa ‘marifete të vockla’, që ndryshonin dhe perfeksionoheshin nga një proces zgjedhor në tjetrin, përfshirë ‘hilet’ me ndërkombëtarët. Qeveria teknike si erdhi iku, pa e përmbushur siç duhet objektivin për të cilin u krijua.

Nuk mund ta përmbushte faktikisht! Nuk kishte forcë! Zgjedhjet ishin bërë si ishin bërë dhe s’mund të bëheshin më keq nga ndonjë qeveri jo teknike. Përvoja e demokracive të përparuara është: nuk ka qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme. Duhet krijuar një sistem i qëndrueshëm zgjedhjesh, i pavarur nga politika, i cili nuk mund të varet nga qeveritë, qofshin këto (edhe) teknike. Aq më tepër që ne e dimë mirë sesa ‘teknike’ dhe ‘jopolitike’ do të jetë te ne një qeveri teknike. Ndihmat ushqimore vazhduan, por asnjë marrëveshje e re nuk u lidh gjatë mandatit të kësaj qeverie.

Koha ndaloi alarmshëm dhe ne u morëm vetëm me zbatimin e marrëveshjeve të lidhura nga qeveria e mëparshme joteknike. Askush nuk vinte për vizitë në Tiranë gjatë kësaj periudhe, askush nuk na priste në vendet partnere gjatë kësaj periudhe. Vetmi, si në “Dimri i vetmisë së madhe”.

Zgjedhjet e lira e të ndershme ishin fshirë përfundimisht nga faqja e dheut. Të lira, por të ndershme… Një kandidat për zgjedhjet lokale, rreth dy muaj para zgjedhjeve më tha:

– Bëra një pagesë 20 milionë.

-Ç’pagesë?,- e pyeta i shqetësuar. Nuk duhen para për të qenë në listë, vë dorën në zjarr për këtë.

I pagova andej matanë ,- më tha-, që të më vinin një kandidat të dobët, të lehtë fare, aq të lehtë saqë as të vetët s’e duan. U shokova me këtë stil të ri. Ndërsa çuditërisht raportet e partnerëve ndërkombëtare vlerësojnë se sa herë organizojmë zgjedhje, ne bëjmë një hap me rëndësi përpara. E çfarë standardi është ky, zotërinj?! Një hap para në krahasim me çfarë?

Pse nuk thoni hapur: Zgjedhje jo të ndershme! Të lira janë, të lira kanë qenë gjithnjë, por të ndershme…? …Ish-kryeministri Z. S. Berisha, pavarësisht dijeve dhe aftësive të tij menaxhuese, ia ka dalë të kryejë mandate të plota qeverisëse. Demokracia në Shqipëri mbërriti në vitin 1991. Ish-lideri demokrat i qeverisë pluraliste u largua në vitin 1997 dhe u kthye më vonë në vitin 2005. Në prag të ikjes së tij të parandjerë në vitin 2013, “u kujdes” seriozisht për pasardhësin e tij, të cilit i besoi idetë, strategjitë dhe taktikat e tij jo gjithmonë të qarta, por sfiduese përkundrejt partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri Nano duket se nuk e ka patur “luksin” me të pabindurit e tij në Partinë Socialiste.

E ka ushqyer vetë frymën liberale. Prej nga ka rrjedhur edhe stabiliteti i qeverisjes së tij. Ai vendosi rregulla të përparuara perëndimore në partinë e tij. Iku kur duhej të ikte. Pa arritur të përzgjidhte dhe të caktonte pasardhësin. Ja një shembull i thjeshtë: Atë vit, mbledhja e radhës e Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste u bë në sallën lartë të ish-Komitetit Qendror. Unë isha ministër socialist dhe duhej të merrja pjesë në mbledhje, por nuk i kisha shumë për zemër punët e partisë.

Fola me Fatosin në telefon. -E rregullojmë,- më tha,- por hajde vetëm pesë minutat e fillimit. Shkova. Ishte dominuese zymtësia e sallës që shihnim në televizor para vitit 1990, kur kronikat jepnin mbledhjet “me shumë rëndësi” të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Një sallë me kolona dhe me shandanë të mëdhenj, që me siguri ishin rusë. Një sallë minigjeorgjevskaja. Vetëm se në krye të vendit (në mes të presidiumit të mbledhjes) nuk ishte më i pashpirti Enver, por liberali Fatos. Filloi mbledhja dhe Fatosi mori fjalën i pari.

– T’i japim leje shokut Ylli (atëherë vazhdonte ndarja e kujdesshme-shoku dhe zoti) se niset në Athinë në një mision me rëndësi,- tha ai. Unë dola nga salla me habinë e njeriut që nuk do të ikte gjëkundi. I tillë ishte Fatosi për partinë. Madje, të gjithë thoshin me shpoti se Ramizi i kishte ngatërruar emrat dhe gabimisht ngarkoi Saliun që të krijojë PDnë dhe Fatosin të krijojë PS-në. Kur i kishin sugjeruar të kundërtën. Historia…

***

…Numri i ministrive dhe numri i anëtarëve të qeverive ka ndryshuar vetëm në varësi të konjikturave politike, pa asnjë rregull, pa menduar fare për interesin e vendit, pa e vrarë mendjen se ç’mund të thoshte Europa. I njëjti kryeministër (Meksi) e fillon punën me 18 ministri, aq sa trashëgoi nga qeveria e mëparshme teknike. Më pas u ngjit në 19 ministri, për të zbritur në 14 dhe për t’u larguar me 15 ministri, ndërkohë që në fillim kishte një qeveri me 21 anëtarë, zbriti në 18 dhe përfundoi me 26 anëtarë. Ç’është kjo logjikë? S’ka logjikë profesionale këtu, ka vetëm logjikë rastësore.

Logjika se ndryshimet janë bërë për përmirësimin e qeverisjes nuk mund të jetë racionale, sepse ndryshimet duken se janë bërë kuturu. Nuk mund të gjendet formula e përdorur. A e dinit se Qeveria Meksi 4 me 26 anëtarë, është qeveria më e madhe në 26 vjet të tranzicionit shqiptar? Thuhet se ish-Kryeministri s’ka pasur gisht në kompozimin e qeverisë, mbase ngaqë ai nuk ishte ish-komunist. Amatorizmi ka vazhduar më tej. Njëlloj kanë vepruar  edhe kryeministrat e krahut tjetër politik.

Meta 2 ka drejtuar një qeveri me 22 anëtarë nga 17 që kishte Meta 1. Një parregullsi tronditëse, pa arsyetime teknike, pa mendim. Rastësisht jam njohur me punën e 22 ministrave të kësaj qeverie. Të paktën 4 prej tyre rrinin kot, boshësisht kot, vrisnin kohën në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk dinin ç’të bënin. Hipnin e zbrisnin shkallëve të Kryeministrisë, duke detyruar rojat e përgjumur dhe të dembelosur të ngriheshin dhe t’i nderonin sa herë hapnin dhe mbyllnin derën. Vetëm ndonjëri merrej me punët e tij apo të partisë së tij, të tjerët s’kishin as punët e tyre.

(Jepu ndonjë punë atyre,- thoshte me shpoti Kryeministri i kohës, – që të ndihen se vlejnë për diçka!), por ama kishin secili makinat e shtetit, rojet personale, telefonin që ua paguante buxheti i institucionit dhe ishin ministra, uleshin rreth tryezës së qeverisë dhe shëtisnin gjithandej me spaletat e ministrit. Sidoqoftë, nëse doje t’i pyesje për diçka, ata mund t’i takoje të gjithë vetëm në ditën që merrnin pagën. Por as atë nuk e merrnin vetë. Ngjiteshin ata të financës dhe ia çonin me zarf ku shkruhej: Zotit filan, ministër i… Punonjësja e financës për pak u pushua nga puna, sepse nga nxitimi në zarfin e parave kishte shkruar vetëm pjesën e parë: “zotit filan”, pa ofiqet. Zoti filan u ankua i revoltuar te Kryeministri, duke kërkuar që t’i çohej nderi në vend: Është bërë me qëllim! Kjo është fyerje e paskrupullt, që cenon rëndë koalicionin qeverisës! (histori qesharake që mori dhenë). -Urgjent “zjarrfikësi”,- thërriste i alarmuar korridoreve këshilltari i Kryeministrit, Dori: Na duhet një zjarrfikës.

Do bjerë Qeveria dhe do ta humbim këtë të shkretë pagë, që na mban gjallë fëmijët. U caktova unë “zjarrfikës” për ta rregulluar menjëherë këtë punën e nderit. I nxora paratë nga zarfi i zhubravitur, që kishte kaluar dorë më dorë, i futa në një zarf të ri dhe ia zgjata llogaritares. -Shkruaj tani me dorën tënde, Zotit filan, ministër shteti për… -Qyqja, tha ajo tërë habi, pse për kaq paskan dashur të më heqin nga puna? Dhe nxitoi të shkruante ç’i thashë, ia çova vetë Filanit zarfin dhe i dhashë të drejtë, duke i kërkuar të falur në emër të Kryeministrit të kohës. I premtova se një rast si ky nuk do të tolerohej më nga ky koalicion qeverisës. Nuk luhej dot kështu me kryetarët e partive të koalicioneve…

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com