Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë lajmin e dalë së fundmi në mediet shqiptare ku flitet për një raport të CIA-s për Shqipërinë.
Ministria e Brendshme bën me dije se nuk ka asnjë raport të publikuar së fundmi në lidhje me situatën në Shqipëri, duke e cilësuar këtë një lajm të pasaktë dhe keqinformues.
Reagim i MB-së për lajmet mbi një publikim të CIA-s
“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.
Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot “print-screen” të faqeve përkatëse të “Factbook” sipas viteve.
Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit./atsh