Herën e fundit kryeministri Edi Rama e shfaqi vetveten duke rruar kokën te një berber adoleshent 15 vjeçar, i cili punonte gjatë pushimeve verore. Me anë të kësaj propagande tashmë të dalë boje, ai kërkonte tu thoshte shqiptarëve se punë ka sa të duash, por nuk ka “profesionistë”. Në fakt një kryeministër i përgjegjshëm duhej ti jepte përgjigje pyetjeve të shumë komentuesve poshtë postimit të tij: Çfarë e detyron një minoren, që të mos gëzojë pushimet e verës si gjithë bashkëmoshatarët e tij në Europë përpara se të kthehet në shkollë, por detyrohet të punojë?!
Përgjigjja është e thjeshtë; berberi i vogël i Ramës dhe qindra-mijë të tjerë të rinj apo në moshë madhore dhe familjet e tyre, nuk përballojnë dot një jetë normale.
Gjithashtu në të njëjtin hark kohor u publikua, edhe një raport i “Programit të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë”, sipas të cilit qeveria shqiptare në mënyrë sistematike, çdo vit shkurton fondet e dedikuara për shtresat e varfra.
Tani pas 6 vitesh në qeveri, Edi Rama dhe ministrat e tij, më në fund e kanë hequr edhe atë “cipë socialisti” që përfaqëson shtresat e varfra dhe të mesme të cilën mbanin në fillimet e tyre kur erdhën në pushtet dhe kanë dalë fare hapur me arrogancë e karshillëk, duke ekspozuar pasuritë dhe jetën prej sheiku.
Ndërkohë që të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare, po flasin për një “bombë sociale” të gatuar me shpejtësi në Shqipëri (Kur të shpërthejë nuk dihet, se çfarë do të lërë pas!), si pasojë e polarizimit ekstrem të një pakice super të pasur që vërtitet rreth kryeministrit me shumicën tjetër të popullsisë, që jeton në kufijtë ekstrem të mbijetesës, familja Rama është lodhur nga “maskimi” dhe çdo ditë e më shumë, po shfaq hapur mënyrën luksoze të jetës që bëjnë.
Vetëm brenda 24 orëve të fundit në rrjetet sociale, qytetarët u çorën maskën, kur me prova filmike e fotografike, kryeministri i vendit më të varfër në Europë, shfaqet çdo ditë duke lëvizur me një helikopter të Gardës së Republikës, i cili ulet e ngrihet në oborrin e vilës qeveritare ku ai po bën pushime të gjata në Dhërmi.
Po ashtu edhe pse i dogjën dhe tentoi fillimisht ti përgënjeshtronte, u përhapen me shpejtësi pamjet kur ai dhe bashkëshortja e tij, sa herë që lëvizin jashtë vendit njësoj si miliarderët e kësaj bote; preferojnë vetë me avion çarter, privat.
Pra kryeministri i një vendi që përpëlitet në varfëri dhe si zgjidhje populli i tij gjen vetëm emigrimin, sa herë lëviz brenda vendit për dreka e darka në periudhën e pushimeve përdor helikopterët e shtetit dhe kur i mërzitet Shqipëria ai dhe bashkëshortja “shalojë” çarterin privat që kërkon “qimet e kokës” për tu ngritur në ajër.
Është i njëjti kryeministër që “qaravitet” e thotë se shteti që ai drejton nuk ka 30 milion euro për të ndërtuar një Teatër Kombëtar të ri dinjitoz dhe nga ana tjetër, vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti shpenzon 40 milion euro për zyrat e tij dhe të ministrave “mamuthë të korrupsionit” që ka rreth vetes.
Është i njëjti, Edi Ramë, që “ankohet” se nuk ka para për të bërë në 6 vite, 20 kilometrat e mbetura të aksit Levan-Fier apo atë copë autostradë që ka mbetur, Tiranë-Elbasan, në të cilat torturohem mijëra qytetarë çdo ditë, kurse vetë për një drekë vërdallë vilës në Dhërmi, i hipën helikopterit të shtetit. /Syri.net/