Qeveria e Shqiptarisë do të vijojë investimet për të rinjtë që duan të marrin një zanat dhe të përfundojnë një kurs profesional.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij sot përpara të rinjve të FRESSH në kampin veror të Jalës, theksoi se arsimi profesional në 20 vite u braktis dhe se në vendin tonë më e lehtë është që të gjesh një avokat sesa një person që zotëron një zanat.
“Patjetër që të bësh transformimet e infrastrukturës nuk është e lehtë, por të ngresh të gjithë sistemin e profesionistëve për shërbimin është shumë e vështirë akoma. Ju e dini që arsimi profesional në Shqipëri u braktis për 20 e ca vjet. Shqipëria u kthye në vendin që prodhonte juristë me diplomë pa vlerë ndërkohë që humbi 20 e ca vjet, pra humbi një brez njerëzish me zanate. Në Shqipëri është shumë më e lehtë të gjesh një avokat, sesa të gjesh një hidraulik, është shumë më e lehtë të gjesh një avokat sesa të gjesh një marangoz, e kështu me radhë që të mos numëroj se sa shumë profesione duhen për të pasur një ekonomi më të fortë, për të pasur investime më komplekse dhe për të pasur një larmi shumë më të madhe të të gjithë spektrit të punësimit. Ne kemi investuar në arsimin profesional. Do vazhdojmë të investojmë,”, theksoi Rama.
Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit theksoi se vendet e punës nuk mungojnë dhe se kërkesat për të pasur njerëz të kualifikuar është e jashtëzakonshme.
“Ka filluar të thyhet goxha mendësia e krijuar për shumë vite që arsimi profesional është thjesht një vend për një fole për humbësit e humbësve dhe të kuptohet që shanset për tu punësuar përmes arsimit profesional janë reale. Kjo thyerje e një mendësie të krijuar së mbrapshti për aq shumë vite ka nisur edhe po materializohet goxha dukshëm. Nevoja për të pasur shumë më tepër njerëz të kualifikuar është e jashtëzakonshme, por edhe kërkesa ka filluar të rritet shumë që na imponon që dhe ne të bëjmë investime më shumë në arsimin profesional jo të mjaftueshme për hir të të vërtetës. Do të duhet të ishin shumë më tepër akoma. Ashtu sikundër duke dëgjuar pyetjen lidhur me të gjithë këtë sferën e teknologjisë dhe të ICT-së më erdhi parasysh, dua t’jua them, që sot në Shqipëri problemi kryesor që do fillojë të materializohet gjithmonë e më shumë nuk është mungesa e vendeve të punës, sepse në Shqipëri nuk mungojnë vendet e punës sot, ka mijëra e dhjetëra mijëra vende pune sot, problemi është që në Shqipëri ne kemi nevojë të kemi vende pune më cilësore dhe më të paguara”, përfundoi Kryeministri Rama./atsh