Loading...

“Qendra historike e Vlorës”, Leli: Po krijojmë një hapësirë të rëndësishme urbane/Foto

Në zonën historike të qytetit të Vlorës po vazhdon puna me ritme të larta për rivitalizimin e saj, gjë që do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve si dhe të investimeve.

Projekti “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i ansamblit ndёrtimor ‘Qendra historike Vlorë’”, pritet ta kthejë në identitet qytetin e bukur bregdetar në jug të vendit, ku ndërthuret në mënyrë të përkryer bukuria turistike me atë historike.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në zonën historike të Vlorës po vazhdon puna edhe në këto ditë të nxehta të verës. Jemi duke krijuar hapësirën më të rëndësishme urbane, e cila do t’i kthehet në favor të qytetarëve të Vlorës”.

Sipas tij, puna po vazhdon me ritme të larta, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik të gjejë të realizuar këtë projekt nga më të rëndësishmit e rikualifikimit urban të qytetit të Vlorës.

“Gjatë gjithë kësaj kohe firma ka realizuar punime, në periudhën e vjeshtës deri në pranverën e ardhshme do të ketë intensitet më të madh të realizimit të këtyre punimeve, në mënyrë që ky projekt të përfundojë sa më shpejt për banorët e Vlorës dhe për ata që duan të vizitojnë Vlorën si turistë, apo si njerëz që kanë dëshirë të marrin informacione për historinë e këtij qyteti”, nënvizoi Leli.

Zona në të cilën ka nisur projekti për “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të ansamblit ndёrtimor ‘Qendra Historike Vlorë’”, është pjesë e qytetit të Vlorës që ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të.

Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike-historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard”, ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek “Sheshi i Flamurit”, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Do të restaurohen 50 objekte, duke treguar kujdes të veçantë sidomos në ruajtjen e arkitekturës dhe materialeve autentike si “Shtëpia e Qeverisë”, ish-Sinagoga apo xhamia e Tabakëve.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “Lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga.
Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe “Xhamia e Tabakëve”, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e 19-të, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com