Loading...

Politika uron festën e Kurban Bajramit

Politikanët shqiptarë uruan sot festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot paradite një vizitë në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ku u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj.

Presidenti Meta përcolli urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, duke shprehur njëkohësisht besimin që ditë të tilla të sjellin më shumë mirësi, mirëkuptim, harmoni e dashuri në familjet shqiptare, si dhe të forcojnë modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës mes bashkësive fetare në vendin tonë.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Mesazhi që sjell kjo ditë mjaft e rëndësishme e besimit islam, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë qytetarët tanë, është mesazhi i solidaritetit, i bashkëpunimit, i vëmendjes sidomos për ata të cilët kanë më shumë nevojë për t’u përfshirë, për t’u përkrahur, për t’u ndihmuar. Sot është një ditë, e cila gjithashtu dëshmon për bashkëjetesën tonë të shkëlqyer ndërfetare, që ka në themelet e saj vlerat më të mira njerëzore dhe hyjnore”, tha ai.

Në këtë ditë simbol të sakrificës, devotshmërisë dhe mëshirës, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, tha se “sot dhe çdo ditë le të tregojmë më shumë vëmendje e përkujdesje për më të dobëtit e të pamundurit dhe të solidarizohemi me të gjithë ata në nevojë për një shoqëri më të drejtë e më të zhvilluar, për më shumë paqe e prosperitet”.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkë me urimin për festën e Kurban Bajramit, tha se “sot në Festën e Flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot, mendimet dhe lutjet e mija shkojnë në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit”.

“Mesazhi i kësaj feste dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”, tha Basha.

Edhe Kryetarja e LSI-së  Monika Kryemadhi uroi besimtarët për festën e Kurban Bajramit.

“Në këtë ditë të sakrificës dhe të flijimit të ditës së Kurban Bajramit dua tu uroj paqe, begati, mirësi dhe të ndajmë mirësinë me njëri-tjetrin, të ndajmë begatinë me njëri-tjetrin dhe të largojmë urrejtjen dhe dëshpërimin nga njëri-tjetri. Sot në këtë ditë të shënuar, e cila në njëfarë mënyre na kujton të gjithëve të reflektojmë, që jemi të barabartë përpara Zotit, le të jemi përsëri vëllezër me njëri tjetrin, të jemi përsëri të angazhuar me njëri-tjetrin për të bërë mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë”, tha Kryemadhi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com