Loading...

Pohimi i dhimbshëm: Shqiptarët po bëhen indiferentë ndaj leximit

Shpenzimi i kohës online në rrjetet sociale duket se ka sjellë një indiferentizëm të dukshëm ndaj leximit në Shqipëri. Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “DUDAJ” pohon se ka një largim të dukshëm ndaj librit. “Ka shumë pak të interesuar t’iu afrohen librarive”, pohon ajo. Tek të rinjtë interesi për të lexuar është i pakët. Dudaj këshillon që të jenë shumë të vëmendshëm prindërit dhe sidomos kurrikula shkollore. Është shkolla ajo që duhet të gjejë një rrugë të mesme mes edukimit të dashurisë, por edhe disiplinës që duhet të shtyjë brezin e ri të lexojë.

Si kanë ecur shitjet e librit gjatë këtij sezoni krahasuar me një vit me parë?
Gjatë këtij viti ka pasur një ulje të dukshme të shitjeve të librave. Dallohet një indiferencë e qartë për sa u përket librave dhe leximit në tërësi. Përkundër asaj çka vërehet gjate Panairit të Librit për shembull, ka shumë pak të interesuar t’iu afrohen librarive. Dhe në fakt edhe këto nëpër gjithësi lënë shumë për të dëshiruar. Ka shumë pak librari të denja për ta trajtuar librin ashtu siç ai e meriton të promovohet dhe shitet në fund të fundit. E shoh me dhimbje këtë largim dhe do të preferoja të mendoja qe gjithsesi është i përkohshëm.

A ka një rikthim te libri te të rinjtë?
Pati një periudhë që m’u krijua ideja se qe kështu. Le të themi që ka një komunitet të mirë lexuesish të rinj që komunikojnë mes tyre, qoftë në klube leximi, rrjete sociale, diskutime të hapura, por edhe këto janë shumë sporadike dhe të pakta. Unë jam e mendimit se dashuria për librin kultivohet që në vegjëli. Për këtë duhet të jenë shumë të vëmendshëm prindërit dhe sidomos kurrikula shkollore. Është shkolla ajo që duhet të gjejë një rrugë të mesme mes edukimit të dashurisë, por edhe disiplinës që duhet të shtyjë brezin e ri të lexojë. Në fund të fundit, edhe pse kohët kanë ndryshuar, unë mbaj shumë mirë mend që në shkolla na detyronte ne lexime që në fund të herës hapnin e zbukuronin mendjet tona. Ndaj kurrikula shkollore duhet të përfshijë lexime në mase të gjere që në hapat e para të jetës shkollore.

Cili zhanër preferohet?
Kryesisht letërsia, por edhe libra me karakter historik, më pak shkencor e shumë pak poezi.

Si e parashikoni ecurinë e librit në pjesën e mbetur të vitit?
Mbetem me shpresën dhe optimizmin që kjo rënie të ndalet. Sigurisht ne kemi sjellë disa libra të rinj për periudhën e verës, shkrimtarë tanët që i botojmë rregullisht dhe do të vijojmë me sjelljen e tyre në shqip. Për shembull Dan Brown me “Origjina”, John Grisham me “Bashkëpunëtori”, “Shuma e ditëve” nga Isabel Allende, Sveva Casati Modignani me “Vreshti i Anxhelikës”, “Zogu ogurzi” nga Camilla Lackberg, “Ajo e errëta” nga Enkelejd Lamaj dhe “Ajlen” nga Esmeralda Petrela. Uroj vërtet që lexuesi ti marrë dhe t’i shijojë me gëzimin që vetëm një libër i mirë di ta shkaktojë.
Burimi:Monitor

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com