Gjithnjë na është thënë se po të punojmë më shumë do të ngrihemi në detyrë, do të marrim rritje rroge dhe do të jemi më të lumtur por një studim i ri ka zbuluar se të punosh më shumë se sa duhet jo vetëm që dëmton shëndetin tuaj por edhe karrierën.
Kërkuesit e universitetit të Londrës dhe Europe Business School zbuluan se të punësuarit që përpiqeshin dhe punonin më shumë se të tjerët kishin problem me shëndetin dhe ishin të pakënaqur me sigurinë e punës dhe ngritjen në detyrë. Studiuesit thonë se nëse punëdhënësit nuk u ushtrojnë presion punëmarrësve duke i lënë atyre të zgjedhin kur dhe se si të punojnë kompanitë do të shohin më shumë produktivitet dhe besnikëri nga punëtorët e tyre, shkruan Daily Mail.
Në studim u përfshinë 52.000 punëtorë të vendeve europiane të cilët morën pjesë në Vëzhgimin e Kushteve Eurpoiane të Punës (European Working Conditions Survey). Që prej 1990-ës ky vëzhqim ekzaminon aspektet e ndryshme të kushteve të punës dhe identifikon rreziqet e grupit të punës.
Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve rreth intensitetit të punës, faktorëve të mirëqenies duke përfshirë këtu stresin dhe lodhjen e tepërt dhe se sa të lumtur ishin me të ardhurat që u siguronte karriera e tyre.
Studiuesit i kontrolluan kërkimet e tyre duke krahasuar njerëz që kishin punë të ngjashme dhe të njëjtin nivel edukimi. Ata zbuluan se ata që punonin më tepër se sa duhet pra me një ritëm shumë të shpejtë kishin një shëndet jo të mirë fizik dhe mendor, për më tepër shefat e tyre nuk ishin të impresionuar nga ritmi i punës së tyre.
”Një nga problemet e rritjes së intensitetit të punës është se cilësia dhe përmbajtja e punës preket”, tha Dr.Argyro Avgoustaki, një asistent professor që mori pjesë në studim.
”Ne mendojmë se kjo është një ndër arsyet pse shefat e këtyre puntorëve nuk janë të impresionuar dhe nuk i ngrenë në detyrë. Është më mirë që të shmanget ritmi i shpejtë i punës dhe orët e zgjatura, por nëse duhet të zgjidhni zgjidhni më mirë orët e zgjatura. Në shumë profesione, njerëzit i shmangin pushimet e drekës për të mbaruar punët që kanë nëpër duar por ne duam që punëtorët ta kuptojnë se duhet të marrin pushimin e drekës dhe të ngadalësojnë pak punën”, tha Dr. Avgoustaki.
Studiuesit thonë se një mënyrë shumë e mirë për të larguar presionin e punës është që puntorët të zgjedhin orare dhe metoda me të cilat mund të përmbushin detyrat e tyre.
Disa shtete janë përpjekur që të limitojnë orarin e punës për të patur balancën e duhur mes jetës personale dhe asaj profesionale. Franca është shteti i parë që ka marrë këto masa duke reduktuar orët e punës në javë nga 39 orë në 35 në vitin 2000 dhe vendosjen e ligjit ‘e drejta për tu shkëputur’ në 2017. Ky ligj i lejon puntorët që pas orarit të punës të mos merren më me mesazhe apo e-maile që kanë të bëjnë me punën.
Një studim i Universitetit të Karolinës së Jugut studioi bankierët për rreth 9 vite dhe zbuloi se në vitin e tretë te ata zhvilloheshin tike të ndryshme si kafshimi i thonjve ose gjëndje si pagjumësia. Ndërsa studime të tjera kanë treguar se puntorët vuanin nga shëndeti i dobët mendor dhe kjo rezultonte në biliona dollar humbje./atsh