Nishani e ka prerë “kostumin” e kryetarit të PD, tashmë është në pritje nëse Berisha i jep leje që ta veshë dhe të zërë vendin e Bashës ose jo, duke pritur dhe rezultatin e zgjedhjeve të qershorit të vitit të ardhshëm për pushtetin vendor.
Ish Presidenti Bujar Nishani nuk e ka mohuar asnjëherë ambicien e tij për të qënë në kupolën e PD, sapo t’i jepet mundësia dhe kur të ketë mbështetjen e duhur.
Madje në të gjitha artikulimet publike për këtë çështje, Nishani është shprehur se gjithnjë e ka ndjerë veten pjesë e PD dhe se është ende i ri për të dalë në “pension” politik.
Madje ende pa përfunduar mandatin e Presidentit, Nishani s’ka rreshtur në akuzat ndaj kundërshtarit politik Edi Rama dhe qeverisjes së tij, thjeshtë dhe vetëm për t’i rënë në sy Berishës. Ndonëse ishte Presidenti i vendit dhe si i tillë duhej të ishte mbi palët.
Pasi e katandisi Presidencën në një “noteri” gjigande ku firmoseshin të gjitha kërkesat e Berishës, që nga rrëzimi i ligjeve të mazhorancës e deri tek ulja e nivelit të dhënies së dekoratave, Nishani kalon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në një politikan aktiv.
Por ajo që vihet re në deklaratat e tij, përpos akuzave ndaj Edi Ramës, për hir të së vërtetës kushdo që ka një fije arësye gjen sa të duash momente dhe elementë ku ta godasësh keqqeverisjen e tij, Nishani është kujdesur fort që të godasë indirekt dhe kreun e PD Basha.
Herë duke i shpalosur platformën se si duhet bërë opozita, ku në fund ka dhe “nenin” e radikalizimit të situatës që e ka me aq dëshirë Sali Berisha, dhe herë duke i treguar se ku duhet të goditet Rama larg deklaratave standarde dhe shabllone, Nishani tregon qartë objektivin e tij.
Nga njëra anën kërkon t’i tregojë Berishës se është një njeri i bindur dhe që në mënyrë të vetëvetishme opozitarizmi i tij është i njëjtë me atë të ish kryeministrit, nga ana tjetër kërkon të bindë demokratët se ai është i duhuri për të drejtuar PD.
Ish presidenti, teksa ka parë se PD është në krizë lidershipi dhe se Bashës ia kanë thënë në sy se nuk frymëzon askënd në opozitë për të luftuar dhe ardhur në pushtet, po tenton që përfundimi i zgjedhjeve vendore ta gjejë më pozita të forta. Njëherësh dhe duke lutur zotin që Basha të humbë përballë Ramës, madje sa më thellë të jetë e mundur.
Nishani kërkon që pas zgjedhjeve vendore të qershorit të vitit të ardhshëm të fillojnë përgatitjet për garën e kandidimit për në krye të PD dhe me mbështetjen e Berishës e ka thuajse të sigurtë fitoren. Gjithnjë nëse Basha nuk mbijeton dot deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Këtë luftë brrylash për të zhvendosur Bashën nga kreu i partisë ka pasur në mendje dhe dje Bujar Nishani, teksa ka artikuluar sërish sulmet ndaj kreut të qeverisë Edi Rama.
Të cilin e sheh dhe si një partner të mundshëm në bashkëqeverisje me Bashën, dhe që bashkë me Berishën tashmë janë në krahun radikal për t’i dhënë fund sipas tyre qeverisë së Ramës një orë e më parë. Pa e vënë për diskutim kurrë një bashkëqeverisjes të PD me PS e Ramës, për të cilën janë kategorik kundër.
Ish-presidenti Bujar Nishani është shprehur se modeli i qeverisjes socialiste të Edi Ramës në Shqipëri duhet të marrë fund. Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, Nishani shkruan se modeli i Ramës është që anëtarët e grupeve të krimit të organizuar blejnë vota gjatë zgjedhjeve, qeveria u shpërndan buxhetin e shtetit me tendera për bizneset e tyre./pamfleti