Loading...

‘Nga pakti me Ramën te bashkimi me LSI në zgjedhje, cilat janë tri çështjet që po shkatërrojnë PD-në’

Sekretari i Partisë Demokratike, Namir Lapardhaja, ka ‘zbuluar’ tre çështjet kryesore që po dëmtojnë rëndë partinë ku ai bën pjesë. Përmes një statusi në rrejetet sociale, zyrtari i PD shkruan se marrëveshja Rama-Basha vijon dhe se për këtë kreu i PD duhet të dalë e të flasë urgjentisht për të sqaruar demokratët, por edhe publikun.

Së dyti, sipas tij, po dëmtohet partia e dytë më e madhe në vend nga fakti se në vjeshtë mund të ketë një qeveri me bazë të gjerë PD-PS. Lapardhaja shkruan se edhe këtë duhet ta sqarojë sa më parë Basha, ndryshe partia po shkon gjithnjë e më shumë drejt greminës.

Dhe çështja e fundit, që rendit zyrtari i selisë blu, është LSI, parti që do të çojë më shumë drejt tkurrjes PD, nëse kjo e fundit vendosë të dalë me të në zgjedhje.

3 çështje që e dëmtojnë rëndë PD-në!

Janë 3 çështje, ide, thashetheme, aludime, të cilat, gjykoj, se e dëmtojnë thellësisht PD-në. Ato përhapen nga propaganda qeveritare, në mënyra të ndryshme, dhe besohen nga njerëzit, ose nga individët naivë, që besojnë se pas gjithçkaje ka një konspiracion, ose nga të poshtërit, të cilëve u del e keqja me shpirtin dhe janë verbuar aq shumë sa edhe pas 6 viteve qeverisje nga PS-ja, sërish të keqen e madhe e shohin tek PD-ja.

  1. Marrëveshja Rama-Basha vijon. Ajo ka siguruar ndryshimin e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme, kështu që demokratët dhe njerëzit të rrinë rehat, mos të ndihen.

Pavarësisht se Basha është shprehur disa herë për këtë çështje, ka shumë edhe në radhët e demokratëve qe e besojnë këtë, ndaj atij i bie barra të dalë e të flasë posaçërisht e veçanërisht për këtë gjë. Kush mohon se në radhët e demokratëve ekziston një perceptim i tillë, vetëm se gënjen vetveten.

  1. Në vjeshtë do ketë qeveri me bazë të gjerë, midis PD dhe PS.

Ky është mashtrimi i dyte i propagandës zyrtare. Nëse ka një problem që e shkatërron përfundimisht PD-në, është pikërisht kjo e qeverisjes së vjeshtës me PS-në, meqenëse “e kërkon” Evropa. Sërish duhet të jetë Basha ai që duhet t’i heqë njëherë e përgjithmonë këto hije dyshimi, me forcë dhe në mënyrë të qartë.

    1. Është shumë shpejt për zgjedhjet lokale, por mund të dalim me LSI-në.

Shpejt??? Jo, është shumë vonë. Me LSI-në? Nuk po e zgjas shumë, por duhet ndarë me apo pa LSI-në. Nëse dilet me LSI-në, së paku flas për zona ku ajo pretendon, si Berati e gjetkë, PD-ja shkon drejt tkurrjes së thellë të mëtejshme. Nëse nuk do dilet me LSI-në, t’u bëhet e qartë njerëzve që tani se po ikin të gjithë e po i “paraprijnë” koalicionit të zgjedhjeve lokale. Por edhe shpallja e kandidatëve për muajin e fundit mund ta përballë PD-në me të njëjtën situatë si ajo e zgjedhjeve të 2017, që kur vendosi PD-ja të futej në garë, vota kishte muaj që ishte shitur.

Besoj se janë 3 problematika që duhen marrë në konsideratë. Pushteti nuk bie me evidentim akuzash dhe problemesh. Edhe ato kanë peshën specifike të tyre, por në këtë rast shqetësuese është gjendja aktuale e PD-së, e cila duket si një makineri e tërë e sfilitur, e lodhur, e pamotivuar, e përgjumur, së cilës, mbi të gjitha, duket se i ka humbur vullneti për të ndryshuar. Dhe për të fituar./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com