Loading...

Meta: Të krijohen institucionet e reja të drejtësisë

Vetingu dhe lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë duhet të vijojnë ashtu sikurse duhet njëkohësisht të krijohen edhe institucionet e reja, të besueshme, të pavarura, të cilat do të japin atë drejtësi që qytetarët presin.

Në një intervistë televizive, Presidenti Ilir Meta komentoi sot ecurinë e procesit të Vetingut.

“Funksioni i Vetingut dhe paralizimi, mosfunksionimi apo mosndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë janë dy çështje të ndryshme. Askush nuk e ka menduar kur ka nisur reforma që do të ndodhi kjo e dyta, për arsye se janë bërë mjaft përcaktime dhe në Kushtetutë në mënyrë mjaft konkrete, të cilat parashikonin që këto institucione duhet të ishin krijuar me kohë, gjë që nuk ka ndodhur”, tha Meta.

Kjo, sipas tij, e bën edhe më të domosdoshme rivendosjen e dialogut mazhorancë-opozitë në mënyrë që kjo anomali apo një kolaps i mundshëm i funksionimit të sistemit gjyqësor të evitohet.

“Duhet të krijohet mundësia që në një mënyrë sa më të shpejtë jo vetëm procesi i Vetingut të vazhdojë dhe të jetë edhe më i shpejtë por dhe të mbështetet edhe më shumë administrata që kryen vettingun qoftë me staf apo me fonde, me mbështetje buxhetore”, tha ai.

Po kështu, ai theksoi se duhet të bëhen të gjitha ndryshimet e domosdoshme që i hapin rrugën krijimit të besueshëm, me integritet të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë.

“Nuk mund t’i vëmë fajin Vetingut për këtë situatë, por mendoj që faji është i mosdëshirës për të parë problemet reale, kushtetuese dhe ligjore të cilat duhet të rishikohen për të tejkaluar këtë situatë dhe për të krijuar institucionet e reja”, shtoi Meta.

Sipas tij “është e papranueshme të themi që më mirë pa gjykata fare se sa me gjykata të korruptuara”.

“Njerëzit nuk e kanë përkrahur reformën për këtë çështje, që të ngelen pa gjykata sepse janë mbi 30 mijë dosje që presin nëpër gjykata dhe këto janë probleme që kanë qytetarët me shtetin, me bashkinë, më njëri-tjetrin dhe kërkojnë drejtësi, kërkojnë zgjidhje”, tha ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com