Mësohet autori i sulmit me breshëri kallashnikovi ndaj banesës së reporteres Klodiana Lala.
Burime të besueshme pranë agjencive ligjzbatuese bëjnë të ditur se i dyshuari kryesor për sulmin është Durim Bami, një nga personat VIP të rrjeteve kriminale në Shqipëri.
Njeriu që konsiderohet një nga klientët më të kuotuar për eleminime në këmbim të pagesës ka pasur prej kohësh përplasje me reporteren, në lidhje me një dosje që Klodiana Lala ka për Bamin.
Personi që tashmë ndodhet i lirë por që bëri dy vjet burg, i akuzuar si pjesëtar i një makinacioni së bashku me deputetin Tom Doshi, i cili akuzoi Presidentin Ilir Meta që donte ta vriste, ka kërkuar nga reporterja që të mos mblidhte informacion për të.
Nuk dihen detajet e këtij komunikimi që gjithsesi nuk ka qenë intensiv, por fakt është se Lala prej kohësh ka qenë e kërcënuar jo vetëm për veten por edhe për familjen e saj.
Policia ka nisur menjëherë hetimet, por sipas të gjitha gjasave, këto hetime do të shkojnë në kalenda, si gjithë dosjet e mëdha në vend.
Megjithatë çështja ka marrë menjëherë një diapason ndërkombëtar, pasi kanë reaguar organizmat e rëndësishme botërore.
OSBE ka qenë e para, por mësohet se edhe ambasada amerikane ka qenë në kontakt me Unionin e Gazetarëve dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.
Edhe pse Klodiana Lala u kërcënua që prej mëngjesit, media ku ajo punon nuk shkroi asnjë radhë, deri sa ngjarja shpërtheu në mediat e tjera./ Pamfleti