Loading...

LSI, partia e “sheik”-ëve me miliarda euro pasuri kërkon nga shteti tollon për familjet e varfëra. Të mos qajë për varfërinë, por të dorëzojë lekët e vjedhura

Ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti flet për kequshqyerjen e familjeve në Shqipëri dhe kërkon që t’u shpërndahen falas tollona me shportën ushqimore. Meta, Monika, Panariti dhe ministrat e LSI të blejnë tollonë për të varfërit, ta pasojnë edhe Rama me ministrat e zyrtarët e tij. Të shpenzojnë vetëm paratë e vjedhura dhe varfëria zbutet, nuk pretendohet të zhduket
Ironia në Shqipëri qëndron në faktin se për të varfërit qajnë pikërisht ata që kanë kontribuar më shumë në varfërimin e tyre, politikanët që s’lanë gjë pa vjedhur në këtë vend.

Rasti më konkret ka të bënë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila është kthyer në “partizanen” më të madhe të luftës kundër varfërisë në këtë vend, kuptohet duke kërkuar që paratë e shtetit të investohen më shumë në këtë drejtim: zhdukjen e varfërisë.

Dhe kur dëgjon Metën, Kryemadhin e ish ministrat e LSI të flasin dhe qajnë për kequshqyerjen, varfërinë dhe shtresat në nevojë, ndërkohë që kanë një pasuri prej miliarda eurosh pa qënë asnjë ditë biznesmenë, por të gjitha para të vjedhura nga arka e shtetit, s’ka si të mos ndjehet keq kushdo.

Më konkretisht, pas raportit të fundit të Komisionit Evropian, në sajë të anketës për ushqyerjen në Shqipëri, ish-Ministri i Bujqësisë, njëherësh dhe deputet e Kuvendit të Shqipërisë, Edmond Panariti, ka një propozim realist dhe sipas tij, duhet ndërhyrë menjëherë.

“Food Stamps” si në Amerikë, për familjet e varfëra dhe me të ardhura të pakta. Kjo është ideja e Panaritit, e shtruar sot në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku i kërkon qeverisë marrjen e menjëhershme të masave.

Sipas tij, kequshqyerja sjell dhe keqformim, fizik dhe mendor të popullatës, veçanërisht të femijeve, si rrjedhojë e pamjaftueshmërisë dhe kequshqyerjes. Sipas tij, të varfrit s’kanë dhe s’duhet të presin lëmoshën që iu ofrohet vetëm për Bajram, Pashkë, apo nga menca elektorale.

“Më të varfër dhe me tryezën bosh! Kthim te talloni ushqimor?! Këtë tregon edhe anketimi i Komisionit Evropian, ku shqiptarët mjerisht zënë vendin e parë në Evropë për ushqyerje të pamjaftueshme dhe kequshqyerje për të kursyer sa me shume nga të ardhurat e tyre të pakta familjare!

Shumë të distancuar jemi ne edhe nga fqinjet, pale nga mesatarja Evropiane! Plot 46 përqind e qytetarëve, deklarojnë se kanë blerë më pak ushqime nga sa kanë realisht nevojë! Përputhje e plotë edhe me statistikat e UNICEF, sipas të cilave 45% e familjeve te ne, nuk i plotësojnë nevojat e tyre për ushqim.

Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse me ato pensione mjerane dhe flakjen jashtë të mbështetjes sociale të mijëra familjeve të varfëra, veçse uria mund t’i shtohet skamjes dhe mjerimit!

Po çfarë thotë një statistikë tjetër, e cila na rendit sërish kampionë të Evropës në fushën e ushqimit dhe ushqyerjes!

Kësaj here sipas Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shendetit! Shqipëria, në vend të parë në Evropë për keqformim, fizik dhe mendor të popullatës veçanërisht të fëmijëve, si rrjedhojë e pamjaftueshmërisë dhe kequshqyerjes!

Ndërkohë, vazhdon flakja në kanal e prodhimeve bujqësore, për mungese shitje dhe tregu!!

Por ndërkaq e blejmë një kg domate 1,3 euro në pikun e prodhimit dhe të stinë!

Konkluzioni: Sa nuk është vonë! Të konsiderohet përparësi dhe urgjencë kombëtare, ushqimi i plotë dhe i balancuar i popullatës. Përndryshe veç braktisjes masive të vendit, do të përballemi edhe me keqrritje, deformim fizik dhe mendor të popullatës së mbetur.

Kjo nuk është hamendje. Por realitet i hidhur! Do të na duhet të kthehemi te koha e tallonave, sepse nuk ka rrugëdalje tjetër të shpejtë përballë kësaj skamjeje, simbol i kolapsit ekonomik! Prandaj, propozoj që familjeve të varfëra, pensionistëve, të pamundurve, t’u shpërndahen falas, tallona me shportën bazë ushqimore!

E bën këtë edhe Amerika me “food stamps”, për familje me të ardhura të pakta, por që për nga niveli as që nuk kanë të krahasuar me varfërinë tonë!

Mos ta lëme, “sadakanë” dhe bamirësinë vetëm për Bajram e Pashkë, apo me pjata supe, mencash elektorale! Duhet vepruar! Menjëherë!”, deklaron Panariti.

Ideja është mjaft efikase, por varet kush e thotë. Panariti dhe shefat e tij Meta dhe Monika, të japin shembullin e parë, të hedhin të gjitha lekët e vjedhura nga arka e shtetit që të shkojnë në ndihmë të të varfërve. Një gjë të tillë ta pasojnë dhe ish kryeministrat, ish ministrat, kryeministri dhe ministrat e PS, nga Edi Rama tek më i vogli, dhe varfëria zbutet, jo se zhduket./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com