Javën e shkuar, një gazetë kosovare botoi një raport bombastik, duke pretenduar se SHBA-ja dhe Rusia kanë ranë dakord në samitin e Helsinkit, për një ndarje të mundshme të Kosovës, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vazhdueshme mbi pavarësinë e Kosovës – një opsion që Uashingtoni e ka kundërshtuar në të kaluarën.
Sipas gazetës “Express”, marrëveshja parashikon që Kosova t’i japë një pjesë të territorit të saj Serbisë, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Beogradi – duke shkëmbyer në thelb tokën për paqe. Raporti gjithashtu sugjeronte, se kjo do t’i hapë rrugën Kosovës, e cila është pothuajse tërësisht etnikisht shqiptare, që të bëhet një provincë de fakto shqiptare.
Ministria e Jashtme e Rusisë, e cilësoi si qesharak raportin të premten e kaluar, duke e cilësuar atë si “shumë të rrezikshëm” dhe një “dezinformim absolut”. Megjithatë, ministri i Jashtëm i Serbisë u tha gazetarëve në Uashington pas përfundimit të takimeve 2-ditore me zyrtarët amerikanë, se për herë të partë në 30 vjet, Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme për një kompromis mbi çështjen e Kosovës, dhe se kjo mund të përbëjë bazën për rivendosjen e marrëdhënieve më të afërta SHBA-Serbi.
Të gjitha palët duket se po distancohen nga historia, por historia nuk po largohet. Skenari i ndarjes, është diskutuar si një rrugë e mundshme, që nga përpjekja e parë e Kosovës për shpalljen e pavarësisë në vitin 1991. Por ideja mbeti në letër; ndryshimi i kufijve është një çështje e ndërlikuar në Europë, dhe sidomos në Ballkan.
Para rënies së saj, Jugosllavia përbëhej nga gjashtë republika socialiste:Serbia, Bosnja Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova ishte një krahinë autonome brenda Serbisë. (Po kështu edhe Vojvodina – një nga arsyet se përse Serbia është aq kundërshtuese për pavarësinë e Kosovës).
Si një provincë autonome, Kosova mund të shpallte teorikisht pavarësinë pa ndryshuar kufijtë e saj. Kjo është një nga arsyet pse Kosova synoi pavarësinë, në vend të aneksimit nga Shqipëria – kjo e fundit do të shkaktonte shumë kundërshtime në të gjithë Europën.
Problemi me këtë qasje, është se ajo nuk llogarit faktin se ka zona të pakicave etnike, të përhapura nëpër kufijtë shtetërore në të gjithë rajonin. Ndarja është një opsion tërheqës, pasi
do t’i lejonte të dyja palët të ruanin kontrollin mbi zonat e dominuara nga grupet e tyre etnike.
Rreth 120 mijë serbë etnikë jetojnë ende në Kosovë, të përqendruar vetëm në kufirin serb në veri, ndërsa një popullsi e konsiderueshme etnike shqiptare jeton në Serbi. Prandaj, do të kishte kuptim që Serbia të merrte pjesë nga zonat me shumicë serbe etnike në Kosovë, dhe që Kosova të merrte pjesë nga zonat me shumicë shqiptare në Serbi.
Problemi është se kjo do të hapte kutinë e Pandorës. Nëse Kosova dhe Serbia fillojnë ndryshimin e kufijve, asgjë nuk e ndalon Shqipërinë të dëshirojë të ndryshojë kufijtë e saj me Maqedoninë, që ka një minoritet të madh etnik shqiptarësh, ose Kroacinë të ndryshojë kufijtë me Bosnjën, ku jeton një pakicë e konsiderueshme kroatësh etnikë.
Për këtë arsye ndarja nuk ka ngjitur deri tani, jo vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat së bashku kanë mbikëqyrur zhvillimin e rajonit në atë që është sot. Nëse ata bien dakord të ndryshojnë një kufi, atëherë mund të duhet të ndryshohen edhe të tjerët.
Në veçanti Bashkimi Evropian, është i kujdesshëm ndaj ndarjes, për shkak të precedentit të rrezikshëm që mund të vendoset në pjesë të tjera të bllokut (Katalonja është është shembulli më i njohur, por jo i vetmi). Në vend të kësaj, këto institucione kanë nxitur një zgjidhje që i lë siç janë kufijtë aktualë – duke përdorur si një nxitje pranimin potencial në BE dhe NATO. Në fakt, Serbia filloi negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2014 – por unioni nuk do ta lejojë atë të bashkohet, ndërsa çështja e Kosovës mbetet ende e pazgjidhur.
Ndërsa ka pasur disa përparime në bisedimet e Serbisë dhe Kosovës gjatë viteve të fundit, ato kanë qenë përgjithësisht të ngadalta. Në takimin e vetëm të zhvilluar muajin e kaluar, presidentët e Serbisë dhe Kosovës dukeshin më larg se kurrë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha javën e kaluar se bisedimet po arrinin në pikën e tyre më të vështirë, dhe se shanset për arritjen e një marrëveshjeje ishin “minimale”.
Zërat rreth ndarjes së Kosovës janë shtuar, teksa negociatat duket se kanë arritur në një udhë pa krye, çka sugjeron që jo vetëm ndarja në tavolinë, por të paktën disa palë të përfshira e shohin atë si një mënyrë për të kapërcyer ngërçin aktual. Tani për tani, vetëm Serbia ka shprehur publikisht një qëndrim në favor të këtij opsioni.
Presidenti serb, sugjeroi javën e kaluar se ndarja përgjatë vijave etnike, mund të jetë një zgjidhje. Ndërkohë, presidenti i Kosovës ka qenë publikisht më i paqartë në lidhje me kundërshtimin e tij ndaj idesë, duke thënë se “s’do të ketë ndarje”, edhe pse mediatlokale vazhdojnë të raportojnë se Kosova do të ushtrojë presion për rishikimin e kufijve.
Përsa i përket SHBA-së dhe Rusisë, ato nuk kanë marrë qëndrime të forta. Mediat kosovare pretendojnë se në një intervistë të datës 21 korrik në KTV, ambasadori i SHBA në Kosovë e mbështeti idenë e ndarjes. Por ai e ka hedhur poshtë këtë lloj interpretimi të komenteve të tij, edhe pse nuk e ka përjashtuar ndarjen si një opsion, nëse Kosova do ta ndërmerrte këtë rrugë.
As Rusia nuk e ka përjashtuar plotësisht këtë mundësi – megjithëse ka mohuar arritjen e një marrëveshjeje të tillë në Helsinki më SHBA-në. Moska theksoi se një zgjidhje do të duhej të vendoset midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe se të dyja palët duhet të respektojnë çfarëdolloj marrëveshjeje që ato arrijnë, në kuadër të proçesit të negociatave të ndërmjetësuara nga BE.
Interesi kryesor i Rusisë nuk është ruajtja e paprekshmërinë territoriale të Serbisë, por më tepër pasja e marrëdhënieve të ngushta me Serbinë. Nëse Serbia mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës, me ose pa ndarjen e saj, është në interesin e saj, Rusia ka gjasa të pajtohet me këtë qasje.
Ajo nuk dëshiron të rrezikojë të humbasë marrëdhëniet e saj me Serbinë, ashtu si Bashkimi Sovjetik që humbi dikur Jugosllavinë. Problemi për Rusinë, është se një marrëveshje Serbi-Kosovë, mund ta sjellë Serbinë më afër Perëndimit, por kjo mund të jetë tanimë e pashmangshme.
Serbia ka natyrisht, ka një rrugë të gjatë përpara, dhe sipas fjalëve të Ministrisë së Jashtme ruse, shumë gjëra mund të ndryshojnë “në një rajon aq të komplikuar sa Ballkani”. Megjithatë, interesat e palëve të përfshira duket se përputhen. Serbia sheh një mundësi për t’u angazhuar si me SHBA-në, ashtu edhe Rusinë. Kosova e sheh si një mundësi për njohje.
Shtetet e Bashkuara dhe BE, mendojnë se mund të jenë në gjendje të sjellin në Perëndim më shumë vende të Ballkanit. Dhe Rusia ka pak interes të krijojë pengesa, nëse Beogradi dëshiron të ecë përpara. Rusia ka ende një ndikim të konsiderueshëm mbi Serbinë, dhe mund të përpiqet ta përdorë atë për të nxjerrë lëshime nga Perëndimi në çështjet që lidhen me Ukrainën ose sanksionet e perëndimit, por nuk ka gjasa të sabotojë një marrëveshje nëse arrihet një e tillë.
Ndryshimi i kufijve në këtë pjesë të botës është një lojë më zjarrin, por zgjidhja e njërës prej mosmarrëveshjeve më të mëdha kufitare në kontinentin europian mund t’ia vlejë marrjen parasysh të këtij rreziku. Nëse gjërat marrin për keq, cilido vend i përfshirë mund të dëshironte ta kishte lënë zjarin të qetë. Ndërkohë, presidenti i Kosovës duket se ka qenë i saktë:Faza tjetër e dialogut, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. / “Geopolitical Futures”