Nga Marin Mema
Në datën 6 maj shënohet 613 vjetori i lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Por nëse vepra e tij në mbrojtjen e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e pavdekshme, sot nuk i kthehet me të njëjtën monedhë. Por jo vetëm kaq…
Patjetër që mund ta keni parasysh Lisusin e lashtë, një ndër qendrat më të rëndësishme ilire. Të shumë janë ata që ia njohin vlerat, historinë dhe atë çka mbart mbi vete. Një pjesë e mureve të tij, konkretisht pjesa e poshtme që gjendet në krah të memorialit të vendvarrimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut përdoret sot më shumë si një banjë publike.
Kjo gjë përbën një skandal të vërtetë po të marrim në konsideratë çfarë rëndësie do të kishte një sit i tillë në realitetin ku duam të integrohemi, e mbi të gjitha për identitetin tonë kombëtar.
Përdhosja e vlerave kulturore tashmë është një modë në Shqipëri, por më keq akoma, rasti konkret përbën një turp! Të rëndojë mbi muret simbol të përpjekjeve për liri kjo indiferencë dhe papërgjegjshmëri, është vërtet e tepërt…
Sikurse mund të vihet re në foto gjendja është e turpshme dhe pavarësisht turistëve të shumtë asgjë nuk ndryshon… Kushdo që vjen në krah të memorialit gjen këtë gjendje. Ndërkohë turpi që bie mbi kurrizin e “kushedi se kujt” thellohet edhe më tej kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga përvjetori i lindjes së heroit kombëtar edhe vetë memoriali është i dëmtuar. Mbulesa dhe muret e memorialit janë të rrënuara ndjeshëm ndërsa probleme ka dhe me parkun arkeologjik përreth tij, i cili po njësoj përdoret si tualet publik në disa zona.
Një lajm i mirë në fakt ka ardhur, projekti për restaurim është miratuar në 10 prill me një vlerë 384 milionë lekë të vjetra, por nuk dihet data e fillimit të punës.
Deri atëherë gëzuar për Gjergj Kastriotin! Dashtë Zoti gjeni kohën ta pastroni , restauroni dhe t’i bëni nderet që i takojnë heroit tonë kombëtar duke i dhënë fund mynxyrës në të cilën e keni braktisur këtë vend.
EKSKLUZIVE PËR TIRANA TODAY, NGA MARIN MEMA