Loading...

Kurban Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”/Foto

Me mijra besimtarë myslimanë falën sot në orën 05.30, namazin e Bajramit në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, në mesazhin e tij bëri thirrje për më shumë solidaritet, dashuri dhe paqe mes njerëzve.

“Le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje. Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona”, u shpreh Skënder Bruçaj, kryetar i Komitetit Mysliman në Shqipëri.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit.

“Sot është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes” tha ndër të tjera z. Spahiu.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH. Dorian Demetja, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami është festa e mirësisë, bashkëpunimit, vëllazërimit dhe e mirënjohjes. Kurban Bajrami është një festë për të gjithë, prandaj ti ndajmë të mirat material me të afërmit dhe nevojtarët.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com