Edhe pse ka mbi dhjetë vjet që futbolli shqiptar cilësohet nga organizmat ndërkombëtarë si më i korruptuari në planet, asnjë veprim, masë apo penalizim nuk është ndërmarrë nga autoritetet përgjegjëse.
U desh ndërhyrja e UEFA-s muaj më parë që të sillte penalizimin e Skënderbeut me dhjetë vjet përjashtim nga kompeticionet e saj dhe një gjobë 1 mln euro që të kujtoheshin të gjithë se bota nuk të fal kur mashtron, ndërsa në Shqipëri Armand Duka me presidentët e klubeve vijojnë të ushtrojnë “pazarin” e tyre pa u shqetësuar nga askush.
Është fakt se organet tona të drejtësisë nuk kanë një ligj të mirëfilltë ku të bazohen në këto raste, pasi pushtetarët tanë, të cilët i kanë shtrirë duart e pista kudo, janë kujdesur që të mos ketë një ligj konkret për trukimet e ndeshjeve dhe për pasojë të gjitha hetimet që kanë nisur deri më sot në vendin tonë kanë dështuar.
Të gjithë e dinë se këtu shiten e blihen ndeshjet ditën për diell dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për fenomenin që po e bren përditë e më shumë futbollin shqiptar. Puna ka shkuar deri atje sa shihen me dyshim edhe rezultatet e skuadrës kombëtare, sic ishte rasti i ndeshjes midis Shqipërisë dhe Armenisë që e fituan kuqezinjtë në Erevan në vitin 2015 (3-0), ku dhe siguruan kualifikimin për në Europianin e Francës.
Për të luajtur ndeshjen në baste duhen siguruar personat që “aktrojnë” mirë, që janë lojtarët në fushë dhe pjesëtarët e stafit teknik dhe këtë lojë e kurdis presidenti me kupolën e mafies së trukimeve.
Natyrisht jo i gjithë kontigjenti, pasi do të vinte në sy dhe do të dilte sheshit pazari. Por korruptohen një ose dy lojtarë, që lëvizin në fushë në mënyrë të cutishme dhe që i japin lojës një ritëm dhe një orientim sikurse e dëshirojnë “regjisorët” që kanë hedhur miliona euro në bastet e paligjshme për të fituar shumëfish miliona.
Këtë gjë kanë bërë prej vitesh pazarxhinjtë e futbollit shqiptar, njohur edhe si mafia e trukimeve, e cila hedh ndeshjet e kampionatit tonë në Azi, në vende si Kina e Singapori, ku është krijuar një rrjet i rrezikshëm i manipulimit të ndeshjeve.
Prokuroria jonë nën Adriatik Llallën, edhe pse ka nisur disa herë hetim për rastin, nuk ka nxjerrë ansjëherë ndonjë fajtor. Dosjet janë mbyllur për mungesë provash, duke shënuar një skandal të madh e një zullum që vetëm vijon të trashet.
E ndërsa futbolli ynë është më i korruptuari në planet, shkallët e stadiumeve sa vijnë e zbrazen dhe cilësia lë për të dëshiruar. Së fundmi, FSHF pranoi se do të marrë në konsideratë kërkesën e klubeve për të rritur numrin e lojtarëve të huaj, duke i bërë kështu indirekt dhe direkt një dëm të madh të rinjve vendas, si dhe duke rritur mundësitë e manipulimit të ndeshjeve.
Prokuroria e Arta Markut nuk duhet të heshtë përpara abuzimit, sepse po luhet me ndjenjat e sportdashësve shqiptarë. Trukimi i ndeshjeve të futbollit po merr përmasa shqetësuese dhe nuk është rastësi që UEFA e bëri shembull Skënderbeun, skuadrën tonë më të mirë të dekadës së fundit.
Në trukimin e ndeshjeve janë përfshirë nga presidentët e klubeve, deputetët, gjyqtarët, ministrat e funksionarët shtetërorë, prandaj fenomeni në Shqipërië shtë kaq i përhapur dhe dëmton drejtpërdrejt të ardhmen e futbollit kombëtar.
Drejtësia duhet të veprojë urgjentisht, fillimisht nga vetja, sepse del që një gjykatës i rangut të lartë ka vënë pasuri me skedinat. Që këtu duhet të nisë hetimi për të vijuar me klubet dhe presidentët e tyre. /Pamfleti