Parku arkeologjik “Ulpiana”, në Kosovë, gjatë vitit 2018 është vizituar nga 18 mijë vizitorë.
Këtë e bëri të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi gjatë vizitës në këtë park arkeologjik së bashku me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi.
Ministri Gashi tha se “Ulpiana tani po merr pamje jashtëzakonisht të bukur, një monument shumë i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe tani po shtohet edhe si pikë turistike, ku gjatë vitit 2018 kemi mbi 18 mijë vizitorë dhe kjo tregon se sa kanë qenë të rëndësishme investimet e MRKS-së në këtë park”.
Ministri Gashi tha se “Ministria e Kulturës do të vazhdojë dhe më tutje të mbështesë punimet dhe gërmimet në parkun arkeologjik, pasi është një trashëgimi e rëndësishme kulturore për vendin tonë. Pamë nga afër procesin e gërmimeve, që po ndodhë prej një kohe të gjatë këtu, i cili do të vazhdojë edhe me tej”.
Ndërsa ministri i kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, u shpreh se “gjatë takimit me ministrin Gashi biseduam rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin e kulturës”.
“Pata kënaqësinë që bashkë me ministrin dhe stafin e parkut Ulpiana të jem dëshmitar, i një pune cilësore të realizuar këtu dhe të shpreh habinë time qe edhe sa shumë punë ka për t’u bërë duke marrë parasysh që vetëm 2% e punëve janë bërë, ndërsa gjithçka që është bërë është mahnitëse dhe dëshmon për një trashëgimi kulturore”, tha Ademi./atsh