Zhvillimet e fundit ekonomike dhe politike në Kosovë ishin në qendër të takimit që kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi sot në Prishtinë me Gjeneralin Joseph L. Lengyel, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Është nder të ju kemi këtu. Ne ishim në Pentagon dhe jemi munduar ta shpjegojmë historinë dhe arritjet tona. Por, ardhja juaj në Kosovë është rast që ju t’i shihni nga afër arritjet tona. Kosova është partner i SHBA-së”, theksoi Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj e njohu gjeneralin Lengyel, për progresin që ka shënuar Republika e Kosovës, për prioritetet e qeverisë së Kosovës, për orientimin properëndimor dhe euroatlantik dhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në Forcë të Armatosur.
“I jemi mirënjohës SHBA-së për ndihmën e dhënë deri më tani në rrugën tonë drejt lirisë dhe në procesin e ndërtimit të paqes. Çfarë do që është arritur në Kosovë është një punë e përbashkët. Jemi optimist për arritjet dhe për orientimin tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të SHBA-së në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, transformim ky që do t’i kontribuonte stabilitetit në vend dhe rajon.
Kreu i qeverisë u shpreh se “Kosova është shtëpi e të gjithëve. Ne kemi bërë punë të mirë brenda FSK-së duke përvetësuar standarde profesionale, duke i përfshirë minoritetet dhe duke bashkërenduar veprimet tona në partneritet me aleatët tanë”.
“Kosova është kthyer në faktor stabiliteti për siguri, duke qenë bashkëpunuese në të gjitha nismat rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme që të shndërrohet në ofruese e sigurisë në misionet e NATO-së në botë”, nënvizoi Haradinaj.
Nga ana e tij, Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjeneralin Joseph L. Lengyel, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës duke thënë se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën.
Haradinaj e nderoi Gjeneralin Lengyel me hartën e Kosovës, si shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e tij dhe SHBA-ve në proceset me interes për Kosovën.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtënant, Rrahman Rama dhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. /atsh