Kryeministri Edi Rama e ka të qartë në kokën e tij skemën, ku do të mbështet në nisjen e këtij sezoni parlamentar. Edhe pse mblodhi dy ditë në Vlorë të gjithë kabinetin qeveritar, Rama është nga ata që “pyet 100 vetë e bën siç di vetë”.
Ndërsa të gjithë janë në ankthin e përgjigjes nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar me fillimin e shtatorit, një gjysmë konfirmim vjen nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili nuk mungoi as në grupin e ngushtë të përzgjedhur nga Rama, ku u vendos 7 shtatori si datë për punimet e Asamblesë socialiste. Të fundit që dolën nga mbledhja në Vlorë ishin vet kreu i Qeverisë, së bashku me kryeparlamentarin Ruçi dhe Balla.
Në një pronocim për mediat ditën e sotme i pyetur nëse do të ketë ndryshime në qeveri Balla përgjigjet: “Asambleja e PS-së, përkon me fillimin e sesionit, brenda javës së parë të shtatorit ju informoj që pika e parë e rendit është llogaridhënia për punën e qeverisë. Raporti është konsistent dhe përmban të gjithë çështjet që të gjithë shqiptarët raportuan. Dua t’ju them shqiptarëve që morën pjesë, se janë me emër e mbiemër në raport.
Unë vlerësoj dhe mendoj se nga analiza që kemi zhvilluar qeveria i ka përmbushur angazhimet dhe prioritetet tona kryesore. Sigurisht që ju e dini që në aspektin ligjor kryeministri e ka mbështetjen e grupit parlamentar, për të përmirësuar sa herë që mendon kabinetin. Unë i vlerësoj maksimalisht të gjithë anëtarët e kabinetit”, thotë Balla në reagimin e tij.
Dhe meqë Rama njihet si njeri i surprizave, nuk do të jenë vetëm ministrat që do t’ju ‘shembet dheu nën këmbë’. Me sa duket Rama ka gjithçka të kopsitur pas turit të llogaridhënies dhe pjesë e fortunës do të jenë edhe kryebashkiakët.
Rama pritet të bëjë me dije emrat e atyre që nuk do të kenë më shansin për të rikandituar, si dhe të godasë rëndë dhe pa lëshime publikisht të gjithë ato zyrtarë që kanë çaluar me punën e tyre./korrieri