Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” kuruar nga AQSHF solli mbrëmë projeksionin e tre titujve filmi, për të mos harruar vitin e vështirë 1997.
Filmat e regjisorëve të njohur Gjergj Xhuvani dhe Fatmir Koçi u shfaqën për publikun në Tulla Nouvelle Terrace te Pallati i Kulturës në vijim të këtij programi, që ka nisur javë më parë.
Filmat që u shfaqën ishin “Tirana ‘96” dokumentar nga Gjergj Xhuvani prodhim i vitit 1996, dokumentari “Jeta në Tiranën e vitit 1996” po nga Xhuvani realizim i vitit 1996, po mbrëmë në tarracën e Pallatit të Kulturës u shfaq dhe filmi artistik “Funeral business” prodhim i vitit 1999. Skenari Dhimitër Xhuvani, regjia Gjergj Xhuvani.
Në qendër të filmi është Shqipëria, një vend i zhytur në krizë. Tension, ankth dhe tmerr, vetmi e forca që e mposhtin një grua që e do dhe mbaron familjen e saj. Aktorë në filma janë Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami.
Për publikun pjesë e programit të kinemasë verore ishte dhe filmi dokumentar “Super Ballkan” nga Fatmir Koçi, prodhim i vitit 1998. Regjisori Fatmir Koçi pyet artistët shqiptarë mbi arsyet e tyre për të qëndruar në atdhe, dhe se si çlirimi nga diktatura totalitare ka ndikuar në punën e tyre krijuese.
Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” organizuar nga AQSHF dhe Tulla Culture Center të martën, që vjen do të jenë të tjerë tituj filmash.
Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. /aatsh