Loading...

Kastrioti Pret Skënderbeun, Kukësi Kërkon Fitoren E Parë Në Vlorë

Java e dytë e Kategorisë Superiore do të vijojë sot me dy ndeshjet e fundit, ku në orën 16:45 Skënderbeu do të udhëtojë drejt Fushë Krujës, ku do të ndeshet me krutanët e Kastriotit, ndërsa në mbrëmje, në orën 19:45 do të jetë radha e sfidës së Vlorës, mes Flamurtarit dhe Kukësit.

Skënderbeu vjen pas një fitoreje në minutat e fundit ndaj Partizanit dhe ndaj krutanëve të sapongjitur në Superiore, do të kërkojnë të konfirmohen si pretendentët kryesorë për titullin kampion, pavarësisht problemeve të kaluara gjatë verës dhe largimeve të shumta.

Trajneri Orges Shehi ka një organikë mjaft të mirë në dispozicion, ndonëse ka bërë thirrje për të tjera afrime, pasi kërkon të ketë edhe një stol të kompletuar për të mos e lënë gjithçka në dorë të talenteve të rinj, që kanë ende nevojë për kohë.

Nga ana tjetër, krutanët befasuan në javën e parë Luftëtarin, duke e mposhtur me rezultatin minimal 1-0 në Gjirokastër dhe në këtë javë të dytë, vijnë me besim dhe moral të lartë, ndonëse përballë do të kenë kampionin në fuqi të Kategorisë Superiore.

Mbrëmja pritet të jetë spektakolare, pasi në stadiumin “Flamurtari” do të përballen dy nga skuadrat “e veshura me stofin e pretendentit për titull”, kuqezinjtë vlonjatë dhe verilindorët e Kukësit.

Këta të fundit vijnë pas një aventure në Europë dhe janë më mirë fizikisht, por edhe më të kompletuar si organikë, pasi kanë ruajtur bërthamën e sezonit të kaluar, kur u shpallën nënkampionë.

Për më tepër, në stol kanë marrë shkodranin Armando Cungu, një trajner që e njeh mjaft mirë Kategorinë Superiore dhe të gjithë skuadrat e lojtarët që luajnë në të, ndaj besimi te Kukësi është i madh, për të gjetur fitoren e parë në Vlorë, pas barazimit 1-1 ndaj Laçit në javën e parë.

Nga ana tjetër, vlonjatët kanë ribërë skuadrën edhe këtë sezon, duke ruajtur shumë pak nga lojtarët e sezonit të kaluar, por duke ulur në pankinë trajnerin kampion në fuqi, ilir Dajën dhe duke sjellë në skuadër emra si Koliçi e Alla nga Kukësi, Torasa nga Argjentina dhe të tjerë, që njihen për vlerat e tyre sportive.

Kuqezinjtë e nisën sezonin me një barazim pa gola në Durrës, ndaj Teutës, ndërsa dobësia e vetme për momentin te Flamurtari, është se lojtarët nuk kanë arritur akoma harmonizimin e duhur në lojë, pasi trajneri daja ka pasur shumë pak kohë për të punuar në këtë aspekt.

Të dy sfidat do të transmetohen në Supersport 3, bashkë me emisionin “Gol pas Goli” që do të sjellë atmosferën para takimeve dhe emocionet e protagonistëve pas ndeshjes, ekskluzivisht për shikuesit e platformës sportive të Digitalb./shartoday

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com