Kastriot Dervishi
Kështjella e vjetër e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në Porto Palermo u përzgjodh si vend i mirëizoluar fillimisht për rreth 200 të internuar. Më parë, kjo kështjellë u përdor si vend internimi kundër përkrahësve të Ahmet Zogut nga qeveria e Fan Nolit në gjysmën e dytë të vitit 1924.
Funksionoi si kamp internimi gjatë vitit 1950. Të internuarit u sollën nga kampi Lozhanit (ku punohej për hapje rruge) dhe i Tepelenës. Nuk ishte problem vetëm fjetja në natyrë, por edhe errësira e uji i pijshëm me përmasë të lartë kripe. Ajo pak bukë që jepej, gatuhej brenda kalasë.
Të internuarit qëndronin nëpër bodrumet e kalasë, të cilat shërbenin edhe si vend torturash.
Jepej ushqim nga 200 gram bukë në ditë shoqëruar me pak marmelatë e margarinë disavjeçare të prishur. Gatuhej supë për 200 persona me 5 kg fasule. Uji kullonte vazhdimisht nga tavanet e nga çatia, lagështia ishte e madhe dhe sëmundjesjellëse, ndërsa nga dritaret drita nuk futej fare.
Veçantia e kampit ishte se kur u zhvendosën të internuarit, asnjë prej tyre nuk shihte nga sytë, pasi kishin qëndruar në errësirë për një kohë të gjatë, duke provuar një nga torturat më të vështira për njeriun. Të internuarve iu kthye shikimi vetëm pasi iu dhanë qepë për të ngrënë. Një sezon të internuarit e këtij kampi që komandohej nga Paskal Andoni janë përdorur për vjeljen e ullinjve në Himarë.
Rastësia shpëtoi të internuarit nga tmerri i mëtejshëm i këtij kampi. Kjo ndodhi kur një anije italiane, në rrezik mbytjeje, u vendos pranë vendit të kampit. Duke kujtuar se një veprim i tillë mund të çonte në të ardhmen në arratisjen masive të të internuarve, në fund të vitit 1950 qeveria komuniste e mbylli kampin.
Në këtë kohë, në kampet dhe burgjet e Shqipërisë sëmundjet më të përhapura ishin dizenteria (sidomos në Tepelenë) dhe zgjebja (sidomos në Valias), ndërsa sifilizi dhe dizenteria ishin mbizotëruese në burgje dhe në Porto-Palermo. Vetëm në vitin 1950, sipas të dhënave zyrtare, vdiqën 53 të internuar në të gjithë kampet.
Të dhënat e siguruara për të internuarit në kampin e Porto Palermos
– Janar 1950: 98 burra, 64 gra, 36 fëmijë
– Shkurt 1950: 83 burra, 61 gra, 37 fëmijë
– Mars 1950: 92 burra, 63 gra, 36 fëmijë
– Prill 1950: 98 burra, 66 gra, 36 fëmijë
– Maj 1950: 91 burra
– Qershor 1950: 92 burra
– Korrik 1950: 98 burra
– Gusht 1950: 98 burra
– Shtator 1950: 128 burra
– Tetor 1950: 140 burra