Loading...

Impianti fotovoltaik në Vlorë, mbi 50 MW – Palët e interesuara kryejnë vizitën në terren. Ja si do vlerësohet oferta

Gara për ndërtimin e një impianti fotovoltaik në zonën e Akërnisë në Vlorë është në pikun e saj, teksa palët e interesuara kanë zhvilluar edhe një vizitë në terren ditën e hënë, si pjesë e takimit të paraofertës.

Parku diellor me një kapacitet prej 50 megavatësh do të jetë më i madhe i këtij lloji në Ballkan dhe do të kapë një vlerë investimi prej 70 milionë eurosh.

Teksa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 17 Shtator, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar edhe detaje nga procesi i përzgjedhjes së projektit që do të përfitojë nga masat mbështetëse për ndërtimin e impiantit.

Oferta do të vlerësohet me 70 pikë sa i takon kapaciteteve teknike dhe financiare të operatorëve ekonomikë, ndërsa me 30 pikë do të vlerësohet tarifa fikse që do të propozohet për blerjen e garantuar të energjisë nga OSHEE për periudhën 15-vjeçare, si edhe angazhimi për ndërtimin e kapaciteteve shtesë. Kjo do të thotë se impianti do t’i tejkalojë 50 MW të parashikuara, ndërsa kapaciteti shtesë llogaritet nga 20 MW deri në 50 MW.

Kështu, më shumë pikë në garë do të fitojnë ato kompani të cilat do të ofrojnë çmim më të ulët dhe ndërtimin e parkut me kapacitetet më të mëdha.

Ndërkohë, kompania fituese do të jetë përgjegjëse për mbulimin e kostove infrastrukturore për lidhjen e impiantit me rrjetin 110 kV të transmetimit.

Pjesëmarrja në procesin konkurrues shoqërohet me një pagesë prej 2 mijë eurosh për subjekt, ndërkohë që është i nevojshëm edhe sigurimi i ofertës në vlerën e 200 mijë eurove.

Kompania që do të prezantojë projektin fitues për këtë vepër energjetike do të mund të ndërtojë impiantin në një nga zonat më të favorshme për prodhimin e energjisë nga dielli. Marrëveshja e projektit do të zgjasë 30 vjet, me të drejtë përsëritjeje./SCAN

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com