Ligj Sporti i hartuar prej politikanëve të babëzitur, nga “notari i pampersëve” Sali Berisha te shtangisti dështak Ilir Meta. A do të ishin këta politikanë hajdutë kaq të pasur nëse do të kishin një karrierë thjesht sportive? Pse Erkand Qerimaj kampion e rekordmen kombëtar nuk është i pasur si “shtangisti” Ilir Meta?
Politikanët shqiptarë kanë marrë njollën e zezë të korrupsionit dhe abuzimit me institucionet dhe është e kotë të pretendohet se vjen gjë e mirë prej kësaj kaste që ka 28 vjet që mendon vetëm për pushtetin dhe xhepin e saj e aspak për popullin.
Një nga aktivitetet e jetës shoqërore, sporti, vuan në tranzicion si shumë sektorë të tjerë, sepse ai menaxhohet keq. Talentet shkojnë dëm pa pasur mundësi të tregojnë vlerat e tyre, ndërsa buxheti për sportin është qesharak dhe nuk i vjen në ndihmë askujt.
Fondi grant që jepet për federatat sportive në total nuk i kap 1 mln euro, shumë kjo disa herë më e vogël se e një klubi basketbolli në Mal të Zi, vendin e vogël fqinj në veriperëndim të Shqipërisë. Edhe organizmat ndërkombëtar të sportit e cilësojnë Shqipërinë vendin e fundit në rajon dhe në Europë për investimet në sport.
Është hartuar një Ligj Sporti, me pretendimin se do të krijojë një status të vecantë të paktën për sportistët elitarë, por, sic është shprehur më parë trajneri i atletes Luiza Gega, Taulant Stërmasi, ky ligj të vetmin ndryshim ka emërtimin nga “sportist i nivelit të lartë” në “sportist elitar”. Ndryshimi i terminologjisë nuk e përmirëson gjendjen e sportit dhe sportistëve në Shqipëri. Ligjin e Sportit e hartuan njerëz që e shohin sportin nga televizori, apo që nuk kanë praktikuar asnjëherë sport në jetën e atyre, apo kanë qenë dështakë në të gjithë llojet e sportit.
Pasojë të kësaj politike të neveritshme antisportive, është një fakt i thjeshtë por domethënës: sot kryeqyteti i vendit, Tirana, e cila bashkë me rrethinat e saj shkon deri në 1 mln banorë, nuk ka një pistë atletike. Duhet të kërkosh në “google earth” ndonjë qytezë të Azisë apo të Afrikës t’i gjesh shoqen Tiranës tonë, që të mos ketë pistë atletike.
Politikanët tallen, duke përdorur togfjalëshin “shumë shpejt”, ndërkohë që pista që ishte në stadiumin “Qemal Stafa” u zhduk bashkë me stadiumin dhe atletët presin që dikush të ketë lëmoshë për të paguar që të shkojnë deri në Elbasan, Shkodër apo Korcë, që të bëjnë stërvitjen e tyre. Po pse kështu bëhet atletika, apo sportet e tjera profesioniste?
Le ta mbajë Erjon Veliaj sa të dojë belin në krahë, edhe shiritin e pritjes së maratonës së nëntorit, pa pistë atletike një qytet nuk ka kuptim, sepse atletika është në fund të fundit “mbretëresha e sporteve”.
E si mund të ketë sporti ynë rezultate? Kur sportin e udhëheqin militantët e LSI-së, partisë së Ilir Metës, njeriu që mbahet mend si sportist dështak. Shkoi në peshëngritje dhe nuk pati asnjë rezultat që mund të regjistronte ndonjë statistikë për të qenë në librat e peshëngritjes. Sa i pasur do të ishte Ilir Meta sot nëse do të kishte ushtruar sport?
E si mund të ketë sporti rezultate kur njeriu që ka qëndruar më gjatë në politikën shqiptare e ndoshta dhe në Europë në këto 28 vjet, Sali Berisha, mashtron me rekordet e tij të notit në detit Jon. Ky notar “pampersësh” është përgjegjësi kryesor për shkatërrimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri.
E si mund të bëhet sporti kur deputet në parlament është ish-basketbollisti dështak Ilir Beqja, njeriu që sakatoi shëndetin e shqiptarëve me një “chek up” që groposi buxhetin e vendit dhe futi shqiptarët në borxhe të tmerrshme.
Cili deputet i parlamentit tonë mund të shquhet se ka pasur rezultate të larta në sport dhe a ka hartuar ai ndonjë politikë sportive që e ndihmon sportin e sportistët?
Duhet pranuar një fakt i pamohueshëm që nga të gjithë politikanët në Shqipëri, vetëm Edi Rama ka arritur në nivelin e ekipit kombëtar, por asnjëherë nuk shkëlqeu si basketbollist i madh dhe për praninë e tij në Kombëtaren e Basketbollit vazhdimisht ka pasur debate.
Këta politikanë, të damkosur me vulën e turpit për shkak të babëzisë, rrëshqasin si ngjalat në lumë, të cilat krijojnë turbullira kur janë në rrezik. Dielli me shoshë nuk mbulohet dhe sporti është sot pasqyrë e dështimit të politikave qveritare, sepse politikat sportive janë hartuar nga njerëz si Sali Berisha e lloji i tij, apo i pasuesve të tij, që nuk kanë haber nga kjo punë. /Pamfleti