Loading...

Harun Panajaja, dera e detarëve të vjetër të Vlorës

Nga Anila Peci
Familja e Harun Panajasë u zhvendos në qytetin e Vlorës rreth viteve 1850. Në fillim ata u shquan si detarë, por më pas me flotën e tyre nisën të japin një kontribut të madh si për përhapjen e gjuhës shqipe, ashtu dhe në ngritjen e tregtisë në qytetin bregdetar. Për të parin e kësaj familjeje mësohet se edhe spanjollët ngritën një objekt nderues në brigjet e tyre dhe më pas i dhuruan një anije.

“Në kapdet u bë hataja
Lufton Harun Panajaja,
Lufton natë e lufton ditë
U bë deti i jeshiltë.
Me dukatas, himariotë,
Zjarr në det e zjarr në tokë,
Se ky truall kishte zot”

Kjo është një nga këngët e trashëguara gojarisht në qytetin e Vlorës lidhur me një nga kapedanët e njohur të detit, Harun Panajanë, emri i të cilit shfaqet qysh në mesin e shekullit XIX, në brigjet detare të Vlorës, Himarës dhe Semanit.
Asokohe në brigjet detare ishin të pranishme edhe anijet tregtare të Markajve (gjyshi i Petro Markos), Anagnostajve (gjyshi dhe stërgjyshi i Dhimitër Anagnostit), Notajve, Nerënxajve, Grillove dhe mjaft varkëtarë të tjerë që udhëtonin nëpër Mesdhe; në brigjet Dalmate, Dubrovnik, Trieste, Napoli, Pire, Spanjë, Maltë, Turqi e Egjipt.
Udhëtari francez Pjer Morineë, në vitin 1864, në një përshkrimin e tij, vë në dukje ashtu si Sami Frashëri se në gjirin e Vlorës dhe të Himarës ishin mbi 215 anije, të cilat kryenin marrëdhënie tregtie e transport mallrash në brigjet e Mesdheut (vendet e Mesdheut).
Në regjistrin e doganës së Vlorës, dhjetor 1880, anijet lundruese të Markajve dhe Panajasë transportonin qitro, valanidh, kripë, lesh, vaj, ullinj dhe mish pastërma nga Vlora në Napoli, Bari dhe Maltë.
Harun Panajaja
Nipi i Harun Panajasë, 76-vjeçari Astrit Haruni, mjek me profesion, rrëfen lidhur me gjyshin e vet ato çka dëgjuar të rrëfyera nga të afërmit, por edhe të lexuara në dokumente bashkëkohore.
Pas mësimeve të para që mori në Mejtepin e Vlorës dhe në Prevezë, Harun Panajaja kreu studimet në një shkollë të mesme për ekonomi agrare në Kajro të Egjiptit. Atje u miqësua me një kapedan të madh deti, Abu El Nedinn, i cili e bëri si birin e tij dhe disa kohë e punësoi në anijen e tij me avull në Pire, në Selanik.
Me vdekjen e kapedanit egjiptian, Harun Panajaja u kthye në Vlorë dhe fillimisht shërbeu si manovrator i anijes së Anagnostajve, e cila bënte udhëtime në Angli e deri në brigjet e Francës. Në vitin 1878 bleu në Napoli anijen “Sibila” me të cilën zhvillonte tregti kryesisht me Italinë, Korfuzin, Malin e Zi dhe Spanjën.
Nga gojëdhënat thuhet se ato kohë (1885), ai shpëtoi nga mbytja ekuipazhin e një anijeje spanjolle, të cilët ishin së bashku me familjet e tyre.
Për këtë akt, ata i ngritën një “objekt” në shenjë falenderimi në brigjet e Spanjës dhe i dhuruan një anije tjetër.
Nga kronikat e kohës mësohet se Harun Panajaja në Napoli u njoh me gjeneralin Dhimitër Leka, prej të cilit merrte gazetat dhe revistat e De Radës, si dhe librat e tij dhe të Zef Sqiroit (arbëresh i njohur) dhe i sillte në Shqipëri.
Këtë punë bënte dhe në Stamboll, ku u njoh dhe u miqësua me Shahin Kolonjën dhe Petro Pogën.Konsulli austrohungarez në Janinë i raportonte Vjenës se “prej Italie Harun Panajaja çon në Vlorë gazetat e De Radës dhe prej Stambollit gazetat e Shahin Kolonjës”. Ai transportonte dhe postën austrohungareze nëpër Mesdhe.

Shahin Haruni
Zanatin e detarit ai ia mësoi dhe të birit, Shahin Harunit, i cili pas shkollës që kreu në Janinë fillimisht punoi në doganën e Korfuzit dhe në fillim të shekullit XX nisi të lundronte nëpër brigjet e Mesdheut me anijen e tij “Sibila”. Shahin Haruni u përfshi në lëvizjen kombëtare duke qenë një anëtar aktiv i shoqërisë “Lumi i Vlorës”, e cila kryesohej nga miku i tij, rilindasi Hamit Lumi (Çela)

Sjellja e librave dhe gazetave në shqip
Shahini dhe Hamiti sillnin libra e gazeta shqip nga kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Kajros, Bostonit, Stambollit, Selanikut, duke bashkëpunuar ngushtë me Kolë e Kristo Karbunarën, Ibrahim Abdullahun dhe Ibrahim Shytin.
Për këtë veprimtari Shahin Haruni u arrestua në vitin 1903 së bashku me Hamit Lumin dhe u burgosën në Berat dhe Janinë. Në vitin 1908 emrin e tij e gjejmë në komisionin e çeljes së klubit atdhetar “Labëria” të Vlorës, si dhe në komisionin e vlonjatëve për zgjedhjen e Ismail Qemalit deputet.
Një kontribut të veçantë Shahin Haruni ka dhënë në kryengritjen e Shqipërisë së Jugut kundër pushtuesve turq (1911- 1912), ku sipas kërkesës së Alem Mehmetit (komandant i përgjithshëm i luftës), Ibrahim Abdullahut, Hamza Isait, Hamit Bej Vlora, Qazim Kokoshi, solli armë e municione nga Korfuzi e Napoli për të furnizuar luftëtarët dhe realizimin e kërkesave të tyre për shpalljen e pavarësisë kombëtare.
Financimet dhe bamirësitë
Një kontribut të veçantë Shahin Haruni ka dhënë edhe në financimin dhe ndërtimin e mjaft objekteve të qytetit të Vlorës. Duke qenë anëtar i shoqërisë “Vlorë e lirë” dhe “Odës së Tregtisë”, ai ndihmoi në ndërtimin e Sahatit të Qytetit, Urës së Izvorit në Tragjas, Molit të ri në Portin e Vlorës dhe Kishës së Shën Todrit.
Po kështu me emrin e tij qysh në fillim të shekullit të 20-të, ngriti çezmën e fshatit Panaja, me pesë sylynjarë (rrjedhje uji). Gjurmët e saj janë ende në fshatin Panaja. Kush kishte çezma asokohe në fshat ishte ndër më komodët, po t’i referohesh furnizimit në fshatra të tjerë, që merrnin ujë në përrrua.
Shpeshherë Shahin Haruni jepte ndihma në teqenë e Kuzum Babait dhe vakëfin e qytetit për të vobektit. Në vitin 1920 ai u zgjodh në këshillin e shoqërisë “Mbrojtja Kombëtare”, ku u bëri thirrje vlonjatëve për të ndihmuar bonjakët, fëmijët e dëshmorët të rënë në këtë luftë epope (bëhet fjalë për luftën e Vlorës). Numëroheshin atëherë mbi një mijë fëmijë të mbetur pa prindër nga kjo luftë.
Në vitet 1920-1940 disa herë financoi trupën e teatrit, orkestrën e Vlorës dhe shoqatën sportive- kulturore “Ismail Qemali”. Në shënimet e tij Besim Qorri (kryetari i kësaj shoqate) shpjegon: “Vlonjatët kanë një shëmbëlltyrë të gjallë të atdhedetarisë, Shahin Harunin, i cili ka financuar lëvizjen kulturoro-sportive në vend.

Transportimi i çamëve në Vlorë e Sarandë
Shahin Haruni kishte ndjenja të fuqishme kombëtare. Qysh në vitet 1913 -1914 me anijen e tij “Sibila”, ai kishte shpëtuar nga masakrat e grekëve mjaft familje çame nga Vola, Arpica, Parga dhe Preveza, të cilat i kishte transportuar për në Shqipëri. Kjo gjë u ringjall përsëri në vitin 1923 me spastrimin e çamëve nga trojet e tyre prej qeverisë greke dhe dëbimin për në Turqi dhe vende të tjera.
Ai së bashku me Sheref Danon, Murat Tërbaçin dhe Halim Xhelon udhëtuan tri herë në brigjet e Çamërisë dhe sollën në Sarandë e Vlorë mbi 200 familje çame, duke i shpëtuar nga masakrat.
Miqësia me çamët ka vijuar deri në kohët e vona me Harunajt. Në shtëpinë e tyre qëndronte varur fotografia e Muharrem Rushitit dhe Musa Demit, figura këto të njohura në Çamëri.

Si u çel Oda e Tregtisë
Ndër themeluesit e parë të Odës së Tregtisë në Vlorë gjendet edhe emri i Shahin Harunit. Nevoja për organizimin e një institucioni të tillë lindi nga fakti që edhe Vlora, si vend i prapambetur agrar kishte të nevojshme futjen në jetën ekonomike të rolit të kapitalistëve vendas, për të përballuar edhe vërshimin e mallrave të huaja.

Në vitin 1913 një grup tregtarësh të Vlorës krijuan një grupim dhe kryetar i saj ishte Xhemil Bej Vlora, veprimtari që u ushtrua deri në vitin 1917.
Nisma e tregtarëve u ndërmor për të vendosur një rregull në marrëdhëniet e tyre me portin detar të Skelës dhe tregtarët që vinin aty nga Berati, Fieri, Lushnja, Ballshi, Gjirokastra, apo Përmeti.
Në vjeshtën e vitit 1920 nisi veprimtarinë e vet Oda e Tregtisë, ku fillimisht u përfshinë 29 anëtarë dhe Këshilli Administrativ, i përbërë nga 15 vetë. Në këtë këshill bënte pjesë edhe Shahin Haruni. Në këtë periudhë e kanë zanafillën edhe ndërtimet e punishtevet të vajit, alkoolit, akullit, miellit.

Miqësia me Hamit Lumin
Në vitin 1890 Harun Panajaja dhe Hamit Lumi takuan në Egjipt Shahin bej Kolonjën dhe Athanas Tashkon, të cilët kuvenduan për zgjerimin e lëvizjes kombëtare. Qëllimi i takimit të tyre ishte futja e librave dhe shtypit shqiptar në Prevezë, Vlorë, Durrës dhe Ulqin.
Qysh asokohe, Hamit Lumi u punësua në flotën e Harun Panajasë (që përbëhej nga 7 anije, prej të cilave 3 qëndronin në breg për peshkim, ndërsa katër dilnin në det). Kështu në Vlorë erdhën librat e Sami Frashërit, librat e Hasan Tahsimit e Pashko Vasës.
Detaria në Vlorë, pak histori
Në shekullin XVIII- XIX në brigjet detare të Vlorës dhe Himarës lundronin për në Mesdhe anijet tregtare të Vlorës, të Anagnostajve, Ndrenikajve, Markajve, Notaj, Karavejllave, Harun Panajasë e krahas tyre anijet e ulqinakëve dhe kapidanit të detit Haxhi Alisë.
Anijet e brigjeve të Vlorës lundronin pothuajse në tërë Mesdheun, Itali, Kroaci, Greqi, Turqi, Spanjë, Francë, Angli, Egjipt e Maltë. Shpeshherë anijet vlonjate dhe ato himariote sidomos rreth viteve 1815, 1837, 1856, 1885 janë ndeshur në det në beteja kundër saraçenëve dhe piratëve të tjerë të detit që vinin nga brigjet e Arabisë dhe Spanjës, por edhe Dubrovnikut, për të plaçkitur vendbanimet shqiptare të Jonit dhe Adriatikut.
Në vitin 1889 flota e Harun Panajasë u ndesh në Kepin e Gjuhëzës me piratët e Kretës, të cilët kishin rrëmbyer bagëtitë e fshatarëve të Dukatit. Pas kësaj përplasjeje, një këngë iu kushtua Harun Panajasë, e cila ka mbërritur gojarisht deri në ditët e sotme.
Në Vlorë, kryesisht në Orikum e Himarë, qysh në mesjetë njihen anijet tregtare- luftarake të brigjeve shqiptare. Një flotë të tillë prej 52 anijesh kishte dhe në zotërimin e tij dhe Gjergj Araniti.
Po kështu, i biri i tij Sinan Pashë Vlora, si kryekomandant i Flotës Detare të Mesdheut, kishte një numër të konsiderueshëm luftëtarë dhe detarë vlonjatë.
Në shekullin XVIII- XIX një zhvillim të veçantë detarisë i dhanë detarët ulqinakë që erdhën dhe u vendosën në Vlorë, të cilët kishin nënshkruar një akt marrëveshje me detarët e Vlorës dhe Himarës për zotërimin e detit.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, krahas ulqinakëve dhe vlonjatëve, detarë të tjerë në gjirin e Vlorës u bënë çamët, të cilët erdhën në Vlorë nga raprezaljet greke në Çamëri.
Atdhedashuria
Një nga figurat e detarisë së Vlorës, Shahin Haruni, në vitet 1920-1940, disa herë financoi trupën e teatrit, orkestrën e Vlorës dhe shoqatën sportive- kulturore “Ismail Qemali”. Në shënimet e tij, Besim Qorri (kryetari i kësaj shoqate) shpjegon “vlonjatët kanë një shembëlltyrë të gjallë të atdhedetarisë, Shahin Harunin, i cili ka financuar lëvizjen kulturore sportive në vend.

Prejardhja
Astriti pohon se të parët e tij kanë ardhur në qytetin e Vlorës rreth viteve 1850 – 1860. Gjyshi i tij erdhi nga Panajaja së bashku me djalin e vet, Hamzain, dhe u vendosën familjarisht në lagjen “Vrenez”. Pasi blenë shtëpi, të tjerat i ndërtuan në vitin 1908, ku gurët i sollën nga Karaburuni.
Duke qenë detarë, ata i sollën vetë gurët andej. Shtëpia me dy kate dhe papafingo ekziston ende edhe sot, por është e pabanuar. “Xhaxhai, Hamzai më ka treguar që në kohën e Hyrjetit, ustallarët po ndërtonin katin e dytë”, rrëfen Astriti. Historia e mbiemrit është si e shumë familjeve vlonjate, trashëgim të emrit të të parëve.
“Fillimisht mbiemri ka qenë Shahu, pasi deri në vitin 1945 është regjistruar i tillë në gjendjen civile. Duke iu referuar origjinës së hershme, i ardhuri i parë në Vlorë thirrej Haruni i Panajasë dhe i mbeti Harun Panajaja. Emrin e tij ne e mbajmë tashmë si mbiemër”.
Haruni kishte katër djem dhe një vajzë: Hamzain, Shahinin, Faikun, Dinon dhe Qamon. Njëri prej tyre, Faiku, ka vdekur në internim në kampin e Mat’hausenit për shkak se u akuzua si antifashist.
Pasardhësit sot
Detaria mbeti thjesht tek brezat e mëparshëm. Pasardhësit hoqën dorë qysh prej shitjes së gjemive (anije e vogël) nga Shahini e Hamzai, që i dhanë të shtata në këmbim të tokave e pasurive të tjera.
73-vjeçari Astrit Haruni është i fundit i brezit të vet. Ai ka dhënë mësim në shkollën mjekësore të Vlorës për 25 vjet, në të cilën ka dhe bashkautorësinë e një teksti mjekësor.
Profesionin e mjekut e kanë vijuar edhe të tjerë pasardhës: djali i tij Artani, neurolog, mbesa Violeta, nipi Arbeni, e mbesa tjetër Enrieta, farmaciste. Profesione të tjera që janë zgjedhur janë edhe ekonomistë, inxhinierë, kimistë. Shumë prej tyre janë në Vlorë, por ka edhe në Tiranë, Fier, Amerikë, Itali e Greqi.

“Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”
Teksa tregon për të parët, Astriti nuk harron të ndalet në një histori për xhaxhanë e vet, Hamzain, asokohe 14-vjeçar. “Ishte natyrë e hedhur dhe kishte raste që fqinjët ankoheshin për të.
Në një situatë të tillë, kur ishte ankuar një nga gratë fqinje se ai kishte trazuar bahçen e familjes së saj, gjyshi Haruni e merr djalin e vet, Hamzanë, dhe siç e ngre nga shtëpia, e çon në port dhe i thotë një miku të tij ulqinak: “Merre dhe hidhe në det!”.
Urdhri e shokoi detarin që po përgatitej për të udhëtuar drejt Prevezës, por përsëritja e tij e prerë dhe rregullat që kishin mes tyre, bëri që ta hipte djalin në anije. Nuk e hodhi në det, por e lëshoi në Prevezë, duke iu larguar menjëherë. 14-vjeçari u rikthye në shtëpi vetëm dy muaj më pas. Kur e pa në shtëpi, nëna e tij iu lut të shoqit ta çonte varkëtar dhe prej atij momenti ai filloi detarinë. Hamzai jetoi 90 vjet.
Një nga Harunët e sotëm: I pari “mirëmëngjes” i Vlorës
Nipin e Shahin Harunit pakkush e njeh me emrin e vërtetë Bardhyl. Të gjithë e thërrasin Luli. Çdo mëngjes ai hap dyqanin e tij të vogël rreth orës 5:00-5:30, duke qenë ndër të parët që i thotë përshëndetjen e mëngjesit Vlorës. 66-vjeçarit i pëlqen të shijojë mëngjesin në qoshkëzën e tij, duke pritur mbërritjen e shtypit të ditës, pse jo edhe për të shfletuar i pari rreth ngjarjeve më të fundit.
Çdo ditë është i përpiktë, e në ato të pakta raste që dera e dyqanit mbyllet, njerëzit e pyesin për shëndetin, pasi e dinë që dyqani i Lulit është përherë hapur. Mosha nuk e pengon aspak të vijojë punën rregullisht si edhe më parë, me po të njëjtin zakon, atë të daljes shumë herët nga shtëpia, për të hapur shpejt dyqanin, por edhe për t’i thënë ndër të parët “mirëmëngjes” Vlorës.

Familjet e vjetra të Vlorës
Vlora ka pasur në tre shekujt e fundit disa nga familjet më në zë, siç janë Vlora, Mezinaj, Çoba, Panajaja, Isaraj, Kokoshi, Xhyheri, Nota, Sharra, Agalliu, Haxhiu, Qypi, Bazili, Risilia (Fejzo Xhafa), Radhima, Kreshpa etj, të cilët në fund të shekullit XIX u shtuan dhe me tregtarë beratas dhe elbasanlli, si dhe hebrenjtë (Matathia, Jakoel, Kohen). Krahas detarisë Vlora u zgjerua me marrëdhëniet tregtare.

Nëpërmjet portit të Vlorës zhvilloheshin marrëdhënie me 22 vende të ndryshme të botës. Historiani Bardhosh Gaçe është edhe nga personat që ka kontribuar në zbulimin e detajeve të shumta lidhur me familjet e vjetra vlonjate dhe me pasurimin e historisë së këtij qyteti 2500-vjeçar me materiale të mbuluara nga pluhuri.

Rruga “Harun Panajaja”
Rreth dy vjet më parë, këshilli bashkiak i Vlorës, bazuar në një urdhër të Ministrisë së Brendshme vendosi emërtimin e 94 rrugëve të qytetit bregdetar. Për këtë u ngrit një komision me historianë dhe intelektualë të Vlorës.
Ndër 94 emrat e rrugëve, të cilat u miratuan nga këshilli bashkiak në dhjetor të vitit 2008 rezulton edhe ai i Harun Panajasë dhe ndodhet në lagjen “Çole”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com