Loading...

GUSHTOVJESHTA TREMBËDHJETË/Këngë Popullore të Labërisë

GUSHTOVJESHTA TREMBËDHJETË

Gushtovjeshta trembëdhjetë,
Vuno briti kujëja,
– E ku e gjetën sebepnë?
– S’e pat fajin Naseja.

Ç’u ngre Nase Labi vetë,
Vate Kolës e i tha :
“Do ma japsh a ta marr vetë?
Nëma mos m’u bë bela!”

“S’e jap se e bëra vetë,
Ta di në shtëpi ta mba “,
Nasja Himar zuri pleqtë,
– Të më çkëpuni me ta,

Vanë pleqtë dhe i thanë:
– Jepe vajzën Kolë Spirua !
– Le të vij’ ta marrë vetë,
Se njëndizaj ashtu tha.

– Jepe more Kolë vetë,
Se s’të ndahet Naseja,
Ne të themi me të drejtë,
Që nuk mbahet gruaja.

Ç’u ngre Nase Labi shkretë,
Vate në miqë e u tha :
Që në Cmokthinë e përpjetë,
Nga dy djem për fshatëra,

I ftoi si në davetë :
“Eni në davet” u tha,
Shtruan rakit’ e mezetë,
Dhe kërrciste valleja,

Nëntë shokë e Nasja dhjetë,
Gjithë trima me dogra,
Të mërkurë më pasdrekë,
Spirajve baskem u ra!

Fotina në penxheretë,
Dy rrovole bashkë i dha,
I shkreti Duro Bolena,
U godit në ballë e ra!

Seç i briti Nase Labit :
“Merrëm hakën o vëlla,
S’më vran kapedant e detit,
Por më vrau Fotina!

Qëllon Nasja me dyfekë,
Kola me Petron u vra,
Seç i vrau tetë vetë,
Gjashtë burra dhe dy gra,

Ç’u çkule tre hyqimete,
Që nga Gjirokastëra,
Një toger me treqind vetë,
Për të bërë muafeza,

Bëjnë sehir xhenazetë,
Gjasht’ muaj gjaku s’u tha,
Këtë gjë bëri Fotina,
Që s’qe bërë në dynja,

Ç’e bë Nase Labi vetë,
Për një grua që s’ju dha.

Dhërmi_____________Himarë

1) Nase Labi : Nga fshati Vuno i Bregdetit, i fejuar në fshatin e tij me të bijën e Kolë Spiros, Fotinën.
Spiroja vendosi me kokëfortësi që të mos ia jap të bijën Nases.
I mbështetur në shokë të tij, Nasja, u nis për në Spiraj, të marr gruan me forcë.
Aty filloi përleshja e përgjakëshme, e cila përfundoi me të vrarë nga të dy palët.
2) Kole Spirua, i ati Fotinis, vjerri i Nases.

Këngë Popullore të Labërisë
Bedri Kabasha
01/06/2018

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com