Loading...

Gurëzeza misterioze e Ilirëve

Gurëzeza herë duket si një legjendë, e herë si një rrëfenjë e humbur edhe pse në të vërtetë është një qytet i dikurshëm ilir, që ngrihet mbi shpinën e fshatit Cakran të Fierit. I vendosur në rrugën e natyrshme që lidhte Bylisin me Apolloninë, ky qytet ka patur kulmin e jetës së tij në shekullin e III para Krishtit. Sipas gërmimeve arkeologjike, fillesat e Gurëzezës i gjejmë që në periudhën protoqytetare, e cila më pas mori zhvillim të natyrshëm me kalimin e shekujve. Periudha e tretë përfaqëson edhe të fundit për këtë qytet i cili në vitin 167 u shkatërrua nga konsulli romak Pal Emili, gjatë fushatës së tij të njohur shkatërrimtare që çoi në djegien e mëse 70 qyteteve në Ilirinë e Jugut.

I pari që ka folur e shkruar për këtë qytet ka qenë arkeologu austriak Kamilo Prashniker i cili në mes të viteve 1916 – 1918 mesaduket u tërhoq nga gurët masivë që dalloheshin tek-tuk mbi tokë. Skënder Anamali ishte arkeologu i shquar që përcaktoi shtrirjen e fortifikimit, ndërsa një informacion të detajuar kanë sjellë edhe Neritan Ceka e Skënder Muçaj.

Shumë teori janë hedhur për emrin e vërtetë të tij, por asnjë nuk ka qëndruar në këmbë si i gjithëpranuar, përsa kohë gërmimet afatgjata kanë munguar. Shumica mendojnë se rrënojat e sotme i përkasin qytetit Eugen që siç shkruhet edhe në Hartën Arkeologjike të Shqipërisë rreshtohej në prapatokën e Apollonisë, në traktatin e Foinikes krahas Dimalit dhe Bargulit.

Megjithatë këto mbeten thjesht hipoteza, sa kohë të dhënat shkencore flenë sëbashku më shumë të panjohura që ruan nëntoka e këtij vendi. Ato shumëfishohen kur mendon se jo larg ngrihet edhe Mashkjeza, një qytezë e vogël që mund t’i ketë rrënjët e saj të shtrira edhe më herët se Gurëzeza. Të dyja këto qendra janë larg vetëm pak minuta nga njëra tjetra.

Mungesa e arkeologëve, mbështetja dhe ruajtja, u ka hapur rrugën abuzuesve, të cilët janë derdhur këtu në mënyrë të vazhdueshme. Ata janë dëmtuesit më të mëdhenj të këtij vendi, edhe më shumë se pushtuesit që kanë ikur e kanë ardhur këtu shumë herë përgjatë historisë.

/njekomb

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com