Gjykata e Lartë ka rishpallur sot thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor
Në thirrjen e saj Gjykata thekson se, në procesin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Gjykata e Lartë vepron në zbatim të urdhërimeve kushtetuese e ligjore, e në mënyrë të vecantë të pikës 2 të nenit 147 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 7 si dhe të pikave 4 dhe 5 të nenit 11 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në të cilët parashikohet se:
Neni 147/2 i Kushtetutës
Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë.
Neni 7/1 i Ligjit nr. 115/2016
Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas raportit të mëposhtëm:
a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;
b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;
c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Neni 11/4 i Ligjit nr. 115/2016
Në qoftë se nuk ka kandidatë për një ose më shumë nga nivelet e gjyqësorit që duhet të përfaqësohen në Këshillin e Lartë Gjyqësor, sipas përcaktimeve të nenit 147, të Kushtetutës dhe të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës së Lartë bën një thirrje të dytë jo më vonë se 3 ditë nga dita kur shpallen kandidaturat në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Në këtë rast afati për paraqitjen e shprehjeve të interesit është 15 ditë nga dita e shpalljes së thirrjes së dytë.
Neni 11/5 i Ligjit nr. 115/2016
Në qoftë se edhe pas thirrjes së dytë nuk paraqiten kandidatë nga shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, zgjedhja e tyre bëhet me short nga radhët e gjyqtarëve që kanë kandiduar për vendin vakant. Çdo kandidat që përmbush kriteret për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit dhe kriteret për t’u ngritur në detyrë ose për t’u transferuar në shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, ka të drejtë të kandidojë për vendin vakant përkatës.
Për këtë qëllim, Gjykata e Lartë, në referim të këtyre dispozitave ligjore. rishpall thirrjen e dytë për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ.
Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në nenin 7 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Sipas përcaktimeve të mësipërme afati i shprehjes së interesit është 15 ditë nga dita e rishpalljes së thirrjes së dytë dhe përfundon me datë 6 Shtator 2018.
Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë.
Dorëzimi i tyre duhet të bëhet në njërën prej mënyrave të mëposhtme: dorazi, pranë zyrës së protokollit të institucionit të Gjykatës së Lartë (nga ora 08:00-16:00); ose me postë, në adresën postare zyrtare të Gjykatës së Lartë: [gjykata e lartë, rruga “ibrahim rrugova”, tiranë]; ose me postë elektronike, në adresën zyrtare elektronike të Gjykatës së Lartë: [email protected] ( kërkesa dhe dokumentacioni duhet te jenë në format ËORD ose PDF).
Kryetarët e gjykatave duhet të marrin masa që ky njoftim t’i bëhet i ditur gjyqtarëve të gjykatës që drejtojnë./atsh