Loading...

Gjon Kastrioti dhe Dardania

Patty Haxhiaj

Burimet historike kanë të dhëna të pakta për praninë e Kastriotëve në Dardani. Ato janë të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta, ndaj dhe nuk janë vlerësuar nga burimet historike. Kryesisht ato kanë të bëjnë me taksat doganore që paguheshin në rrjetet tregtare që lidhte bregdetin me Dardaninë dhe që kalonin në zotërimet e Gjon Kastriotit.

Dokumenti i parë është një letër e Gjon Kastriotit e 25 shkurtit të vitit 1420. Në të tregohet se duke nisur nga perëndimi për në lindje, zotërimet e Gjon Kastriotit shtriheshin nga Shufadaja, që ishte port dhe qendër doganore e Gjon Kastriotit në grykëderdhjen e lumit Mat, dhe arrinin deri në Prizren (Illyrich-albanische Forschungen, I, Munchen und Leipizig, 1916, fq 146).

Ky qytet e vendkryqëzim rrugësh ndërkrahinore shumë të rëndësishme është treguar nga vetë Gjon Kastrioti se ka qenë në zotërimin e tij. Rrjedhimisht edhe treva e Prizrenit ka qenë nën zotërimin e Kastriotëve, dmth pjesa jugore e rrafshit të Dukagjinit të sotëm dhe malësia e Sharrit.

Në një dokument tjetër, i vitit 1426(Jovan Radoniç, Durad Kastriot Skanderbeg I arbania u XV veku, Beograd 1942, fq 2-3)po nga Gjon Kastrioti dëshmohet se krahina e Rekës, rrjedhimisht edhe ana jugore e Sharrit, ka qenë nën zotërimin e tij.
Se deri ku ishte shtrirja lindore e zotërimeve të Kastriotëve në rrugën Prizren-Prishtinë e tregon me përafërsi një dokument i 13 shtatorit të vitit 1430.

Dokumenti është shkruar pasi ushtritë osmane kishin shtypur kryengritjen e Gjon Kastriotit dhe kur një pjesë e zotërimeve të tij në Dardani kishin kaluar në duart e pushtuesve. Në të janë shënuar porositë për ambasadorët raguzianë që do të shkonin tek komandanti Osman i Shkupit dhe te sulltani.

Ndër të tjera ambasadorët janë porositur që kur të arrinin në Prishtinë, të pyesnin për taksat doganore që”paguhen nëpër vendin që ka qenë i Gjon Kastriotit deri në Lezhë(Historijski arhiv, Dubrovnik, Lettere e comissioni di Levante, reg XI, 12 v)”. Dokumenti ka një të dhënë shumë të rëndësishme. Ai tregon se banorët e Prishtinës i njihnin taksat doganore që ishin paguar në vendin e Gjonit.

Nga Prishtina deri në Prizren sot janë 76 km rrugë automobilistike. Të dy këto qytete janë ngritur rrëzë maleve dhe në anë të dy fushave të gjera e pjellore. Fushat janë ndarë midis tyre prej një treve kodrinore e malore me gjerësi 28 km dhe që është më afër Prizrenit(20 km) se Prishtinës (28 km).

Gjithashtu si qytet mesjetar Prizreni ka qenë mëiI rëndësishëm se Prishtina. Rrjedhimisht dhe treva malore midis këtyre dy qyteteve ka qenë e lidhur më shumë me Prizrenin edhe për shkaqe ekonomike, për kripë e mallrat ë tjera që vinin nga trevat bregdetare dhe nëpërmjet Prizrenit kalonin në drejtim të viseve lindore.

Me Prizrenin ka qenë e lidhur ngushtësisht edhe treva e Tetovës e më gjerë, prandaj ato kanë qenë përfshirë në të njëtën njësi administrative të kishës katolike dhe më pas të administratës osmane.

Nëpërmjet të dhënave të tërthorta nga burimet historike arrihet në përfundimin se krahas trevës së Prizrenit, Gjon Kastrioti ka zotëruar dhe trevën kodrinore që ndante fushën perëndimore të Dardanisë nga fusha lindore e saj, si dhe rrugën që lidhte Prizrenin me Tetovën.
Lidhjet historike ndërkrahinore, interesat ekonomike të banorëve të zotërimeve të tij dhe lidhjet familjare kishin bërë që Gjon Kastrioti të martohej me Vojsavën, në zotërimin familjar të së cilës ishte Pollogu, trevë që sipas Main Barletit kufizohej me qytetin e Shkupit.
Të njëjtat motive e shtynë Gjon Kastriotin që vajzën e parë të tij, Marën ta martonte me sundimtarin e Gentës, Stefan Gjurashin. Nëpërmjet kësaj martese Gjon Kastrioti dhe dhëndri i tij zotëronin Udhën e Gentës, që lidhte bregdetin me Dardaninë.

Qytetet bregdetare, si Kotorri furnizoheshin me drithë prej Gjon Kastriotit. Në tetor të vitit 1413, kur Vendiku atë, fëmijët e trashëgimtarët e tij i bëri “qytetarë venecianë”,Gjon Kastrioti është cilësuar “sundimtar në viset e Bosnjës”. Kjo dëshmon se zotërimet e tij shtriheshin në Shqipërinë e Epërme, e cila në mesjetë kufizohej në veri me Bosnjën.

Disa muaj më parë, në mars të vitit 1413, Gjon Kastrioti ishte bërë dhe qytetar i Raguzës, qytet shtet që kishte interesa të veçanta ekonomike në Dardani, ku jetonin dhe tregtarë raguzianë. Jeta politike në Dardani u decentralizua në fund të shekullit XIV me rënien e Balshajve dhe pas vdekjes së sundimtarit të trevave lindore të saj, Vukë Brankoviçit.

Prandaj në mes të shekullit XV Dardania Lindore u regjistrua prej osmanëve me emrin e tij, “Vilajeti i Vukut”. Kjo dëshmon se Dardania Perëndimore nuk ka qenë nën pushtetin e Vukë Brankoviçit dhe se që nga fundi i shekullit XIV dhe deri në pushtimin Osman të shekullit XV, Dardania Lindore nuk është qeverisur prej një sundimtari të vetëm, por ka qenë e ndarë midis disa sundimtarëve, emrat e të cilëve kanë mbetur të panjohur.

Zotërimet kryesore të Gjon Kastriotit kanë qenë në trevat lindore, prandaj ai ka bërë përpjekje të mëdha për të pasur dalje në det, dalje që në fillim të shekullit XV, ka nisur me Shufadanë, në grykëderdhjen e lumit Mat, dhe është vijuar me përpjekjet për t’u shtrirë drejt veriut.

Në vitin 1410 ai kishte kërkuar të kishte banesë në Ulqin, të cilën e ka siguruar, sepse në vitin 1469 gruaja dhe djali i Skëndërbeut kanë ndenjur aty gjatë udhëtimit drejt Italisë me të birin.
Përdorimi i sllavishtes, si gjuhë e shkruar prej kancelarisë së Skëndërbeut, dhe emrat vetjakë të fondit të kishës, në gjuhën sllave, që kishin disa fëmijë të tij, dëshmojnë se zotërimet kryesore të Kastriotëve dhe qendra administrative e tyre, kanë qenë në trevat ku si gjuhë kryesore kishtare dhe e shkruar është përdorur sllavishtja.

Një nga dëshmitë më të rëndësishme të Gjon Kastriotit është Prizreni. Ai ishte një qytet që përfshihej në zotërimet e tij. Prizreni si vendkryqëzim rrugësh, ka qenë i përshtatshëm dhe është përdorur si qendër administrative e shteteve mesjetare dhe më pas e administratës provinciale osmane.
Duhet pranuar se dhe fraza e shkruar prej Gjon Kastriotit se zotërimet e tij shtriheshin “nga Shufadaja deri në Prizren”, duhet interpretuar se ky qytet ka qenë qendër e shtetit të tij.

Prizreni u bë qendër administrative e Gjon Kastriotit me rënien e Balshajve në fund të shekullit XIV dhe jo më vonë se shekulli XV. Kastriotët me Balshajt kanë qenë kushërinj.

Pas fitores së Kryengritjes Çlirimtare, të nëntorit të vitit 1443, Skënderbeu ka deklaruar se “ishte pasardhës i Balshajve dhe donte vendet e tyre”. Jo më pak pretendues për trashëgiminë e Balshajve ka qenë më parë i ati, Gjon Kastrioti.

Bashkëpunimi me Balshajt e ka fuqizuar Gjonin dhe rënia e tyre ka ndikuar që ai të zgjeronte zotërimet e tij me trevat që ata humbën. Këtë zgjerim e favorizoi dhe dobësimi i Perandorisë Osmane në atë kohë.

Gjon Kastrioti zgjerohet në drejtim të viseve bregdetare dhe që në vitin 1406 ai shfaqet për herë të parë në dokumentet veneciane dhe raguziane si një partner i rëndësishëm në marrëdhënie me shtetet e huaja.
Pikërisht fakti që ai ishte zot i fuqishëm në bën të kuptojmë që qendra e tij të ketë qenë në një qytet i fuqishëm.

Në vitin 1411 Gjon Kastrioti ka treguar se ai kishte në gadishmëri luftarake”dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind kalorës turq”. Kjo e dhënë dëshmon se Gjon Kastrioti kishte një forcë ushtarake të konsiderueshme dhe se ai në atë kohë ishte në marrëdhënie të mira me osmanët. Në fakt marrëdhëniet e tij me osmanët kanë njohur acarime dhe marrëdhënie vasaliteti por dhe partneriteti.
Pas betejës së fortë të Nishit që shënon dhe kthimin e Skënderbeut në Shqipëri pas kthimit nga Nishi rruga e solli natyrshëm Skënderbeun në Dardani.

Dimri ishte shumë I ashpër dhe Skënderbeu në Prizren duhet të ketë ndejtur gjatë. Prej këtu ai mori udhën drejt Pollogut ku ndenji tre javë.
Dhe më pas ndërmorri betejat e tij çlirimtare.
(revista Albanica, Kasem Biçoku)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com