Loading...

Festa e Birrës, Spirollari: Fluks i lartë vizitorësh, janë rezervuar të gjithë hotelet

Ka filluar në qytetin e Korçës Festa e Birrës, ku pjesë e saj janë bërë jo vetëm qytetarët e këtij qarku por nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia si dhe turistë të huaj, që kanë mbushur plotë hotelet dhe sheshet e qytetit.

Bashkia e Korçës ka prej ditësh që ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë e këtij eventi, tashmë të përvitshëm duke garantuar një program fantastik me dy skena ku do të këndohet live nga artistë të njohur dhe siç është zakon, birra do të derdhet lumë.

Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se festa e birrës në Korçë tashmë është kthyer në traditë dhe pjesëmarrja në këtë event të përvitshëm është nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, turistë vendas dhe të huaj.

“Që një ditë më parë hotelet e Korçës janë të zëna, pra qyteti është i mbushur plotë dhe po presin të ndjekin programin që ka përgatitur bashkia e Korçës, me këngë dhe birra, tamam në festë”, shton Spirollari.

Duke u ndalur te siguria publike dhe garantimi i saj, Spirollari theksoi se angazhimi i Prefektit është maksimal.

“Ne si prefekturë jemi të angazhuar për të garantuar sigurinë, kushte sa më të favorshme për qytetarëve, që Festa e Birrës në Korçë të jetë një model jo vetëm për Korçën, por dhe qytete të tjera të vendit”.

Ai shtoj më tej se qytete të tjera në Shqipëri duhet të ndjekin modelin e Korçës për organizime të tilla sepse është një zhvillim kulturorë dhe pse jo dhe ekonomik për qytetin./atsh