Loading...

Faktet/ Fondi grant që akordohet nga shteti për sportin përfundon në xhepat e “ustallarëve” të partisë, presidentët dhe sekretarët bëjnë “biznesin e vizave”

Peshëngritja ka qenë për vite me radhë nën “hyqmin” e Ilir Metës dhe fondi i kësaj federate ka shkuar kryesisht në xhepat e “të pangopurve” të LSI-së. Madje njerëzit e Metës në sport janë një rrjet i gjerë e mjaft i shtrirë, që nis nga federatat e përfundon në KOKSH, e deri në gjirin e klubeve.

Shqipëria është vendi i fundit i rajonit në investimet që bën për sportin, gjë që shprehet në rënien e cilësisë sportive në të gjitha disiplinat sportive, në pakësimin e numrit të sportistëve, dëmtimin e infrastrukturës dhe natyrisht mungesën e një ligji të denjë e zhvillimor për sportin në tërësi.

Shteti akordon për federatat sportive një shumë më pak se 1 mln euro. Padyshim, kjo është një shumë qesharake që nuk i mbulon nevojat që kanë federatat për të organizuar veprimtaritë sportive vjetore, por si të mos mjaftonte kjo, shumica e parave përfundojnë në xhepat e ushtarëve të partisë. Këta “ushtarë”, njëkohësisht “ustallarë”, janë presidentët e federatave dhe sekretarët.

Vetëm në Shqipëri ndodh që rroga vjetore e një sekretari federate që emërohet nga partia (përgjithësisht), të ketë rrogë vjetore më të madhe se fondi grant për federatën përkatëse. Skandale të tilla dhe paradokse të tilla e bëjnë sportin shqiptar qesharak dhe aspak me të ardhme.

Shikoni kush janë presidentët e federatave! Njerëz që janë të lidhur me politikën, majtas apo djathas qofshin. Fundja, hajdutët nuk kanë ngjyrë, ata i gjen në cdo parti. Futbollin e drejton Armand Duka, që përpos se biznesmen, ka vëllain e tij kryetar të një partie politike dhe investon për fushatën elektorale të tij, sic bëri në zgjedhjet lokale në Kolonjë.

Atletikën e drejton presidenti Gjergj Ruli, i njohur për mbështetjen që merr nga socialistët. I futur me bekimin e Fatos Nanos në krye të federatës së atletikës, sot Ruli është një ithtar i Rilindjes së Edi Ramës. Me siguri që nesër do të jetë mbështetës i flaktë i Lulit të PD-së. Federatën e shahut e drejton presidenti Eduard Shalsi, njeri kryekëput politik. Basketbollin e drejton Avni Ponari, pronari i SIGAL-it, i njohur për lidhjet e tij me krerët e politikës.

Peshëngritja ka qenë për vite me radhë nën “hyqmin” e Ilir Metës dhe fondi i kësaj federate ka shkuar kryesisht në xhepat e “të pangopurve” të LSI-së. Madje njerëzit e Metës në sport janë një rrjet i gjerë e mjaft i shtrirë, që nis nga federatat e përfundon në KOKSH, e deri në gjirin e klubeve. Krejtësisht për interesat e xhepit të tyre dhe të partisë së Ilir Metës, pasi për sportin as e vret njeri mendjen.

Paradoksi qëndron në faktin se shumica e presidentëve të federatave zgjidhen nga bota e biznesit me idenë për të ndihmuar financiarisht në zhvillimin e aktiviteteve sportive, por presidentët, duke qenë se kanë vënë pasuri përrallore në rrugë të dyshimta, i shfrytëzojnë lekët e fondit për interesat e tyre, ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo rënie katastrofale e sportit shqiptar në të gjitha disiplinat.

Federatat marrin një fond nga 20-100 milion lekë të vjetra vetëm për organizimin e veprimtarive, por mbi 50% shkon në xhepat e presidentëve dhe sekretarëve. Skandali tjetër për të cilin “Pamfleti” ka informacion të besueshëm është se presidentët në bashkëpunim me sekretarët regjistrojnë si sportistë njerëz që i trafikojnë jashtë vendit.

Bëhet gjoja për t’i cuar në aktivitete të ndryshme, por janë njerëz të zakonshëm që shkojnë në vendet si SHBA, Angli, Kanada etj, duke iu zhvatur para. Ky skandal i madh ende nuk është hetuar në Shqipëri dhe përfshihet në atë që quhet skandali i vizave, që sjell fitime të mëdha.

Rrjeti është shumë i shtrirë, sepse nis me federatat, me KOKSH-in dhe me zyrtarët e ministrisë. Duhet firma e gjithsecilit që paratë të përfundojnë në xhepat e hajdutëve, ndërsa për sportin shkojnë disa kacidhe që nuk e ndihmojnë të zhvillohet e të futet në rrugën e duhur./Pamfleti