Loading...

Eni Vasili hedh dritë mbi zërat e errësirës së diktaturës/Foto

Gazetarja Eni Vasili vjen me një profil ndryshe këtë herë si autore e librit ”Zëra nga errësira”.

Në librin e saj, shtatë personazhe, disa pasardhës të familjeve të vjetra shqiptare dhe pjesa tjetër fillimisht kundërshtarë politikë të të parëve, rrëfejnë ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist, ku kanë jetuar të gjithë për shumë vite.

Ky libër është plot vlera dhe për brezat pasardhës pasi tregon copëza jete dhe emocionet e atyre që kanë provuar të shkuarën e errët të komunizmit. Dëshmitë e personazheve që trajtohen në libër e bëjnë lexuesin e ndjeshëm, por njëkohësisht dhe të vetdijshëm për të mësuar fakte dhe ngjarje reale, të cilat nuk duhen të përsëriten më në shoqërinë tonë.

Gjatë promovimit të librit ditën e sotme, në një prej universiteteve private të Tiranës, mes miqsh dhe kolegësh dhe me pjesëmarrjen e veçantë të personazheve që kanë rrëfyer në librin e saj, Eni Vasili u shpreh se, ”libri është për këto personazhe të cilët kanë rrëfyer plot dhimbje dhe emocion historitë e tyre të dhimbshme”. “Jam përlotur në çdo intervistë dhe jam shokuar njëkohësisht dhe pse me një karrierë 25-vjeçare jam munduar që emocionet mos t’i tregoj, por në këtë rast ishte e pamundur”.

Ajo gjithashtu shtoi se, ”këto rrëfime tregojnë jetën tronditëse dhe pikërisht për këtë vendosa t’i shkruaja në libër. Gjithashtu vendosa t’i shkruaja pasi intervistat televizive mbeten në arkiva dhe ky libër vjen si kujtesë, pasi përballja me të shkuarën komuniste është një ndër sfidat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare”.

Eugjen Merlika, Klara Merlika, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Simon Miraka dhe Gjon Rrethi janë personazhet që vijnë në librin e gazetares Vasili, të cilët hedhin dritë mbi atë çfarë ka ndodhur me njeriun nën diktaturë.

Ata kanë rrëfyer vuajtjet e jetës së tyre nëpër burgjet dhe kampet e internimit gjatë diktaturës komuniste. Janë jetë të ngjashme, por edhe të ndryshme për mënyrën se si kanë sfiduar diktaturën, duke u mbijetuar torturave fizike dhe psikologjike.

Janë dëshmi shumë të rëndësishme që dokumentojnë ngjarje, që kanë shënjuar historinë e komunizmit.

Libri ”Zëra nga errësira” është një kontribut i vyer i cili hedh dritën mbi jetën e errët të njerëzëve që kanë jetuar dhe vuajtur regjimin komunist. Gjithashtu brezi i ri i cili do të marrë këtë libër në dorë do ketë një brilant të shtuar, pasi do të mësojë fakte dhe ngjarje të jetuara në atë kohë, duke reflektuar që kjo perde e errët e shoqërisë shqiptare mos të përsëritet më kurrë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com