“Ne bëmë atë që mundëm, pasi nuk mund të rrinim spektatorë përballë një shfaqjeje dhimbje dhe turpi, ku njerëz që janë larguar nga ferri u kthyen në të burgosur të impotencës politike apo edhe europiane”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Durrës.
Rama iu përgjigj interesimit të medias mbi vendimin e Shqipërisë për të pritur 20 emigrantë që ndodhen në brigjet italiane.
“Ne nuk e kemi bërë këtë për të ndikuar mbi këdo qoftë, por nuk mund të rrinim spektatorë përballë një shfaqjeje dhimbjeje dhe turpi, ku njerëz që janë larguar nga ferri u kthyen në të burgosur të impotencës politike apo edhe europiane”, tha Rama.
Ne natyrisht nuk mund ta zgjidhim këtë problem, tha Kryeministri, duke shtuar se “ne bëmë atë që mundëm, në pozitën e dikujt që rri e shikon dhe thotë: po bëj timen, aq sa mundem, po jap një dorë”.
“Është rasti për të rikujtuar se Ballkani në krizën e vitit 2015, ka bërë atë që duhet të kishte bërë gjithë Europa, duke u treguar një rajon mirëfilli europian, jo vetëm gjografikisht, por edhe sa i përket vlerave që mishëron Europa dhe na bëjnë të jemi kaq proeuropianë”, vijoi Rama.
Sipas tij, “ky ishte një gjest krejt i natyrshëm për ne si shqiptarë, por edhe si njerëz që ishim ne dje eritreasit e sotëm, dhe Italia nuk na la në mes të detit”.
“Gjesti jonë nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehtë”, tha Rama. /