Kryeministri Edi Rama postoi në “Facebook” pak ditë më parë një video ku shfaqej te berberi. Por kush është berberi në fjalë? Ai është Aleksandër Hodaj, 17 vjeç.
I njohur ndryshe si berber Sandri, ai merr përsipër me kioskën e tij të vogël t’i përgjigjet tërë Dhërmisë, pasi është e vetmja berberanë në të.
I pyetur nga gazetarja e ABC News se prej sa vitesh e ushtron profesionin e tij, Hodaj tha: Prej rreth 3 vitesh kam që e ushtroj, jam edhe në gjimnaz në shkollë, merrem më shumë gjatë verës.
Ai u shpreh për gazetaren se me kryeministrin bisedoi rreth shkollës, moshës, dhe se ai e kishte përgëzuar për faktin që punonte në një moshë të vogël.
I pyetur për shumën që kishte ofruar kryeministri për shërbimin, Hodaj preferoi të mos e komentonte. Megjithatë, ai tha se bakshishi i lënë mund të kishte qenë edhe më i majmë.
17-vjeçari tregoi për gazetaren se Rama i kishte thënë se me hedhjen e videos në “Facebook” do t’i bënte reklamë.