Donald Lu ka tronditur ethshëm politikanët shqiptarë. “Armiku” i politikanëve të korruptuar është rithyer me një deklaratë të fortë, pikërisht në momentn kur “shpirtrat e trazuar” filluan të gjejnë pak paqe, në pritje të diplomates së re.
“Politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë”,pasi SPAK do të ngrihet së shpejti, së bashku me organet e reja të drejtësisë. Ai dha recetën: gjyqtarët e Apelit që i shpëtojnë vettingut do të propozohen për në KLGJ, ndërkohë që prokurorët e pastër për në KLP. Menjëherë pas kësaj zgjidhet pasardhësi i Arta Markut, që sipas gjasave do të jetë një proces ku opozita do të hyjë në lojë.
Por pse u rikthye fuqishëm e një fjalim tipik të tij në këto ditë të nxehta gushti ambsadori Lu?
Sipas një analize Te Sheshi, mosbesimi i Bashës ndaj Arta Markut, duket është marrë parasysh dhe i është dhënë një shans, që sipas gjasave është i fundit për kryetarin e PD-së. Basha duhet të hyjë në proces për të propozuar, mbështetur dhe votuar një kryeprokuror të pastër dhe të dakortësuar nga palët, por me kusht që ai do të jetë kryemenaxheri i stinës së re të drejtësisë.
Nga ana tjetër, Lu bëri të ditur qartë se SPAK apo Prokuroria Speciale që do të merret me politikanët, do të jetë një trupë që nuk duket se do të kalojë nga kompromisi politik por vetëm nga kriteret ligjore e profesionale.
Mesazhi i ambasadorit Lu dje ishte shumëdimensional, pasi foli edhe për të treguar se ai është i ngarkuar nga qeveria e Presidentit Trump, deri sa në Tiranë të vijë ambasadori i ri, apo të paktën deri në fund të këtij viti.
Shkurt: i ngriu buzëqeshjen atyre që bërtitën “Uraaaa..” për ikjen e tij.
Dhe dalja e Lu-së ndodhi pikërisht pas rifreskimit të të dhënave të CIA-s ku bëhej e qartë se në Tiranë ambasador është pikërisht ai, Lu-ja.
Ky i fundit, këtë mesazh duket e theksoi fort ndaj atyre qarqeve që kanë thirrur për largimin e tij. “Politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë”…mesazh që paralajmëron se më shumë se trazirat e vjeshtës, do të jetë balloja e prangave të shtatorit./korrieri