Mandati i ambasadorit, Donald Lu në Tiranë mund të zgjatet dhe me një vit tjetër. Kjo për shkak të shtyrjes së dëgjesës për ambasadoren e re dhe mundësia për ta pyetur dhe për përzierjen e rusëve në SHBA, krijon kushtet që Donald Lu të qëndrojë në Tiranë. Një gjë e tillë pritet të sjellë zhvillimet interesante në Tiranë.
Pas publikimit të lajmit se Lu ishte emëruar ambasador në Kirgistan, gjë që ka ndodhur në të vërtetë, por që formalisht të paktën do të dëgjohet në komisionin e jashtëm të Senatit në SHBA pati festë nga PD dhe LSI, festë që u shoqërua dhe me ironinë e zyrtarëve të lartë të të dy partive respektive në opozitë. Ironi e shoqëruar me deklarata kundër Lu, “shërbimin” e tij ndaj Ramës por dhe karikatura të ndryshme me peshq, me kryeministrin apo dhe me ambasadoren në largim të BE Romana Vlahutin.
Dhe Donald Lu e dha mesazhin e parë të lamtumirës kur deklaroi se kushdo që të vijë në Shqipëri si ambasador i SHBA, reformën në drejtësi, Vettingun dhe arrestimin e “peshqeve të mëdhenj” do ta ketë në qendër të punës së tij, pasi është një investim i SHBA ky.
Teksa kaloi qershori dhe erdhi korriku, Donald Lu dha mesazhin e dytë të lamtumirës, sërish të lidhur me Vettingun, reformën në drejtësi dhe arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, kur deklaroi se “të gjithë duhet të ketë frikë nga reforma në drejtësi, dhe politikanët”.
Dhe kur kaloi korriku dhe në “kapërcyell” të gushtit, teksa “vapa ikën dhe me gushtin”, Donald Lu lëshoi mesazhin e tretë të lamtumirës, atë të përsëritjes të vendosmërisë për t’i shkuar deri në fund reformës në drejtësi dhe vettingut, ngritjen e institucioneve SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me qëllimin e vetëm, burgun për “peshqit e mëdhenj”.
Tashmë pritet dhe një lamtumirë e katërt, që ndoshta do të jetë e fundit për të dhe përfundimisht do të largohet nga Shqipëria. Lamtumirë që pritet të jepet nga vera e vitit të ardhshëm me sa duket.
Ka në “themel” kjo që themi, përvojën me ish ambasadorin e SHBA në Tiranë, Alexandër Arvizu, i cili dha katër darka lamtumire me të gjithë politikën dhe mediat shqiptare dhe qëndroi dhe mbi një vit përtej mandatit zyrtar si ambasador i SHBA në Tiranë. Dhe situata ishte terësisht e ndryshme nga ajo që po paraqitet sot me ambasadën e SHBA në Tiranë. Pasi nuk është dhe zv.ambasadori, i cili e ka mbyllur mandatin, ndërkohë që e ngarkuara me këtë detyrë vijon ta kryejë atë, por me sa duket bashkë me Donald Lu.
Themi se situata është pak ndryshe, pasi e nominuara e Donald Trump si ambasadore e SHBA-ve në Tiranë, Kathleen Kavalec, pritej të zhvillonte dëgjesën në senat, por ajo s’është paraqitur. Duke u interesuar për të mësuar arsyet e mungesës së saj mediat shqiptare e pyeti zëdhënësin e senatorit amerikan Bob Corker kreu i komitetit për marrëdhëniet me jashtë që dha këtë përgjigje:
“Vumë re se një numër i anëtarëve të komisionit po kërkojnë informacione shtesë. Ne do të rishohim në një seancë për të nominuarin që do të shërbejë si ambasador në Shqipëri sa më shpejtë të jetë e mundur”. Rreth një muaj më parë, emri i Kathleen Kavalec u nominua nga presidenti Trump si ambasadore e SHBA në Tiranë pas përfundimit të mandatit të Donald Lu.
Megjithatë ditët e fundit mediat amerikane shkruajnë se emri i Kavalec, dikur zëvendës ndihmës sekretare e në Byronë e Çështjeve Evropiane të Departamentit te shtetit, është e përfshirë në dosjen e debatueshme të Trump për zgjedhjet presidenciale.
Madje thuhet se jo vetëm ka dhënë donacione për kandidaten rivale Hillari Klinton, por dhe se ka marrë informacione për përzierjen e rusëve në zgjedhjet e SHBA. Si një njohëse e thellë e çështjeve ruse ajo nuk përjashtohet të pyetet nga ana e kongresit, në kuadër të hetimit që ka filluar për këtë çështje dhe informacionet e saj mund të jenë të vyera.
I thamë këto për të nënvizuar faktin se procesi i emërimit të saj si ambasadore e SHBA në Shqipëri mund të shkojë shumë gjatë, pasi në fillim të vitit mund të fillojë zyrtarisht gjykimi i çështjes së përzierjes së rusëve në zgjedhjeve e SHBA, gjykim që shkon shumë shumë gjatë. Dhe deri atëherë në krye të ambasadës së SHBA në Tiranë pritet të jetë Donald Lu, duke ua ngrirë buzëqeshjen në buzë PD e LSI dhe në veçanti Berishës e Metës dhe duke ua bërë nervat “kaqurrel”.
Ndërkohë që mesazhi i Donald Lu se do kërkojë fort ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, është një paralajmërim serioz se “peshqit e mëdhenj” Meta dhe Berisha kanë nisur realisht të shohin ëndrra me burg dhe qeli. SHBA është e vendosur për t’i futur në burg “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, dhe Donald Lu me një vit shtesë mandati në Shqipëri, me sa duket është zgjidhja e duhur për këtë./Pamfleti