Loading...

DISA VEÇORI TË KËNGËS HIMARJOTE NËPËRMJET TEKSTEVE/Nga Kozma Billa

Kënga himarjote, si të gjitha këngët e Labërisë kanë veçoritë e tyre stilistikore. E kemi përmendur edhe më lart, pavarësisht se këto këngë quhen këngë popullore polifonike dhe kanë kaluar nga njëri brez në tjetrin, e kanë një autor që e ka shkruar fillimisht. Në këngën himarjote njihet si autor i këtyre këngëve Neço Muko (H)Marjoti. Emri i tij i vërtetë është Nestor Muko.
Në tematikën e këtyre këngëve në përgjithësi, dallojmë dy tema kryesore, atë historike dhe atë lirike të dashurisë, e cila në repertorin e këngëve himarjote zë më tepër vend se tematika tjetër.
Në përgjithësi kënga himarjote vjen e ëmbël, e dashur, si valë deti, e shtruar, melankolike, harmonike dhe tërheqëse.
Ajo që e ka bërë të njohur këngën himarjote, pa dyshim, është kënga Vajzë e valëve, e cila ka një pëlqyeshmëri dhe një audience të madhe, madje, duhet thënë, se shpeshherë është bërë edhe ngacmim i kompozitorëve duke e përpunuar atë, pa humbur origjinalitetin e saj.
Si të gjitha këngët polifonike, edhe kënga himarjote është trashëguar dhe ka kaluar nga njëri brez të tjetrin.
Për herë të pare kjo këngë është kënguar nga vet autori dhe grupi i tij, Neço Muko, duke kaluar pastaj në një këngëtar tjetër virtuoz, siç çshtë Artisti i Merituar Dhimitër Varfi që e ka nxjerrë këtë këngë dhe këngët e tjera nga arkiva duke i dhënë jetë dhe gjallëri këtyre perlave e duke vazhduar aktualisht me një pasuese të denjë të kësaj kënge, e mirënjohura dhe për mua do ta quaja Perëndeshë e këngës himarjote, Katina Beleri.
Krijimtaria e Neço Mukës, siç thamë është e larme.
Janko Ll. Pali, bashkëkohës dhe bashkënxënës me artistin Neço Muko, ka bërë një punë të lavdërueshme në mbledhjen e këngëve të këtij artisti të madh, i cili i la dorëshkrim dhe nën kujdesin e të birit Petraq J. Pali panë dritën e botimit, duke i përmbledhur në librin e tij të titulluar “Lyra”, botim i parë, 2018, gjë që nuk e kishim deri tani një përmledhje të tillë. Për këtë autori i përëbledhjes meriton një falenderim të veçantë.
Nuk kam ndërmend të merrem të analizoj gjithë përmbledhjen me krijimet e Nestor (Neço) Mukos, por do të ndalem tek disa prej tyre, të cilat janë edhe më të njohura për publikun, sidomos me lirikën e tij.
Siç e shpreha edhe më sipër, për mendimin tim, kënga himarjote, ka si kryekëngë “Vajza e valëve”.
Kjo këngë është një nga ato këngë që të fut drithërimën në shpirt, të kujton atë plagën e pashëruar të shoqërisë gjatë gjithë kohërave, kurbetin. Në vetvete kjo këngë është një elegji që sa herë që e dëgjon ose e lexon, jo vetëm që të çon në atë kohë për të cilën është shkruar, por edhe sot është po aq aktuale sa dhe dje.
Ndoshta në tekstin original kjo këngë është më e gjatë, sa ne e kemi dëgjuar. Në tekstin e kënduar kjo këngë del e redaktuar pa iu prishur kuptimi dhe logjika aspak. Kjo kuptohet edhe për një arsye tjetër, e cila ka të bëjë me variantin e të kënduarit, ndaj dhe ka pësuar edhe disa ndryshime më tepër fonetike.
Kënga hapet me një peizazh rrënqethës. Që nga vet titulli, kjo i ngjan një përmendoreje, një statuje të mbirë aty buzë detit, me sy të kthyer nga ky det, i cili është simboli i zakonit të Bregut. Kjo përmendore, kjo statujë ka si piedestal një gur anës detit, ku qëndron kjo vajzë në pritje të burrit të saj nga kurbeti, duke qarë e vajtuar dhe me një dhembje thellë në shpirt. Ky është portreti i “Vajzës së valëve”, ku autori e ka vizatuar aq bukur dhe aq realisht, sa vështirë do të gjendej një skulptor ta derdhte në bronc këtë figurë emblematike.
Në se çdo vend, çdo krahinë a trevë ka një diçka simbolike, Himara duhet të ketë “Vajzën e valëve”.
Gjithë poezia është një histori tragjike, e trishtë dhe plot dhembje.

Vajz’ e valëve,
zëmëra s’ja mban,
mbi një gur anës së detit,
qan e zeza, qan.
Pret atë që pret
dhe një dhimbje ndjen,
gjithë bota ven e vin’,
por ai nuk vjen.

Nëpërmjet këty vargjeve autori e ka skalitur me mjeshtëri të rrallë portretin e kësaj “vajze zë valëve” duke derdhur gjithë arsenalin e tij mjeshtëror, artistik, duke nxjerrë në pah edhe anën e brendshme shpirtërore të vajzës, e cila është ngujuar mbi këtë gur anës së detit, ditë edhe natë, me muaj të tërë për të pritur ndonjë lajm.
Në pranverë që vijnë dallëndyshet nga viset e largëta, ajo është prapë aty.

Pranver’ arrin,
një mëngjes të qet’,
shkojn’ e vijn’ dallëndyshet,
vajza u thërret:
ju të bukur zogj,
tek ju kam një shpres’,
ju që shkoni det e male,
dua t’ju pies.
Mos e patë ju,
rron apo nuk rron,
ndonjë lajm a ndonjë letër,
vall’ a më kujton.

Dhe ajo me një thirrje apostrofike u drejtohet atyre me shpresën se mos e kanë parë, “rron apo nuk rron”, u drejtohet ajo zogjve, apo “vall a më kujton”.
Vetëm dhembje, vetëm trishtim, vetëm lotë të dala nga thellësia e shpirtit.
Kjo dhembje, ky trishtim arrin kulmin në vargjet:
Një jetime jam,
pa nën’ e pa bab’,
një që kisha, një që doja,
iku dhe më la.

Ajo jeton vetminë, ka mall dhe refren, kjo dhembje, ky mall përmblidhet në vargun kuptimplotë “por ai nuk vjen” dhe ndaj si refren i këngës përsëriten vargjet:
“qan e zeza, qan,
qan e mjera,
qan e zeza qan”.

Nëse do të flasim për metrikën e vargut, duhet thënë se më tepër i ngjan një vargu pesërrokësh me ndonjë përjashtim që kalon edhe në një varg tetërrokësh, por jo gjithmonë. Kemi përdorimin e apostrofit tek rënia e “ë”-së fundore që nuk shqiptohet zakonisht, pra një “ë” e pazëshme.
Edhe përsa i përket rimës mund të themi se nuk kemi atë sistem tradicional që kemi mësuar të gjejmë zakonisht nëpër poezi të ndryshme, të sistemit AABB ose ABAB, por shpeshherë mund të themi se vargu i parë me vargun e tretë, pothuaj nuk rimojnë fare, përveç vargut të dytë dhe vargut të katërt, por sidomos duhet thënë se kemi të bëjmë me një rimë alternative.
Një lirikë tjetër shumë e bukur në këngët himarjote të Neço Mukos është edhe kënga “ Vajza e malit”, një lirikë e mirëfilltë, e shkruar me ndjenjë e që i këndohet me pathos vajzës së malit. Kjo këngë është kënduar fillimisht nga K. Çakalli, një tjetër këngëtar virtuoz i këngës himarjote, N.H. Marjoti dhe dhe M. Rumbo. Më pas kjo këngë është kënduar nga Dhimitër Varfi dhe grupi karakteristik i Himarës, si edhe nga grupi i vajzave të Dhërmiut. Teksti i kësaj kënge është më i gjatë se sa këndohet. Tek grupi i Dh. Varfit është akoma më i shkurtër, se sa tek grupi i vajzave të Dhërmiut.
Në qendër të kësaj kënge është stina e pranverës, stina më e bukur, ku jeta gjallërohet. Dëbora nis të shkrijë majave të maleve, bagëtitë dalin në kullotë me mbirjen e barit, zogjtë kanë ardhur nga shtegtimi, pra me një fjalë, ardhja e stinës së pranverës i ngjan më tepër nisjes së një jete të re, ndryshe. Dhe autori këtë e përshkruan bukur, duke rreshtuar të gjitha këto elemente që përmendëm më lart. Ndaj edhe ai shkruan:

Erdhi prilli, ç’u shkri bora,
majave,
mbani vesh, bie këmbora,
maleve.

Dhe më poshtë, nëpërmjet një apostrofi, autori lajmëron ardhjen e stinës së pranverës me gjithë arsenalin e saj, me këngën e zogjve, me ndryshimin e natyrës, toka ka filluar të marrë një pamje të re, është zbukuruar, “lulëzon”, thotë autori, me ecejaket e zogjve, zogj të çiftëzuar që “dy nga dy, / jetojnë në fole”.
Krahasimi është figura letrare më e përdorur në këtë tekst-poezi të Neço Mukos, i cili siç duhet është një njohës i mirë i figurave stilistikore, por pa lënë mënjanë figurat e tjera, siç është apostrofi, apo metafora, e përdorur me shumë finesë apo edhe epiteti.
Vajzës së malit në këtë tekst poezi, autori i vesh bukurinë e një ylli duke e krahasuar me të, e quan “si një lule maji”, “trëndafil”, ose e quan “kanakare”, një epitet që tregon delikatesën e femrës, ajo femër e përkëdhelur, nazemadhe, të cilat këto vyrtyte, cilësi, i përmblesh vetëm me një një fjalë, “kanakare”.

Është vajza, vajz’ e malit,
si një yll,
si një lule, lul’ e majit,
trëndafil.

Në këtë tekst poezi autori i këndon me një ndjenjë të thellë vajzës që dashuron dhe që ka kohë që nuk e shikon më. Ndaj dhe ai shprehet:
Ësht’ ajo që dashurova
që me koh’,
dy-tre vjet për të lëngova
që s’e shoh.

Me thirrjen që bën autori:

O moj vajzë kanakare,
ç’bën atje?
As më njeh, m’harrove fare,
ç’zemër ke?

Dhe vajza i përgjigjet:

Dashurin’ s’e kam harruar,
s’e harroj,
brenda thell’ e kam të shkruar,
sa të rroj.

Pra kemi të bëjmë këtu me një fare dialogu ndërmjet vajzës dhe djalit. Ndjen dhembje dhe mall për ato tre vjet që ata nuk janë parë, ndaj dhe thotë:

Po tre vjet që jemi ndarë,
gjithmonë,
nat’ e dit’ duke qarë,
shkova koh’n.
Përsa i takon metrikës së vargut të kësaj poezie, duhet thënë se kemi të bëjmë me një tetërrokësh të mirëfilltë, të thyer pas çdo vargu me një trerrokësh, i cili shërben si refren i këngës dhe që rrokëzohet: “ma, o majave”.
Rima është një rimë e zakonshme alternative e sistemit ABAB.
Një këngë interesante dhe që vlen të përmendet, si nga ndërtimi strukturor i saj, ashtu edhe nga stilistika e përdorur është edhe kënga “Vogëlushja”, e cila është një sintezë e plotë e vajzës himarjote, e cila ka përqafuar të renë. Autori e përshkruan këtë ndryshim me mjeshtëri të hollë artistike duke përdorur krahasimin si figurë qëndrore në të. Në pak vargje ai bën bën portretin fizik të kësaj vajze, ndaj edhe ai shkruan:

Vogëlushe ane-ane,
aman mike kapedane 1)
veshurë si pariziane,
leshrat si evropiane,
e hollë e qafësorkadhe,
zëmërën ma more fare.

1) përsëritet si refren pas çdo vargu.

Poezia tekst është ndërtuar thjesht me gjashtë vargje, monokolonë, me një tetërrokësh, me rimë të përputhur dhe në vargjet e fundit me asonancë.
Stili, mënyra, varianti i të kënduarit i këngës himarjote të imponon edhe sistemin e vargëzimit, gjë, të cilën ne e vëmë re në shumë këngë të kësaj treve.
Kështu ndodh edhe me këngën “Katina, nina-nina” , e cila është edhe kjo një nga këngët më të pëlqyeshme dhe më të spikatura të këngës lirike himarjote.
Ja disa nga vargjet e kësaj kënge:

Vajz’ e bukur-o,
pa dil të të shoh,
moj Katina nina-nina,
vajz’ e dashur-o.

Pa dil në penxher’,
të të shoh një her’,
moj Katina nina-nina,
zëmërën ma merr.

Fol një her’ me goj’,
dua të shpresoj,
moj Katina nina-nina,
pa ty s’mund të rroj.

Syri yt më tret,
zëri yt më vret,
moj Katina nina-nina,
bukuri je vet.

. . . . . . . . . . . . . . . . . .

Aj, se nata shkon,
hëna perëndon,
moj Katina nina-nina,
djalëria shkon.

Ky është teksti që është kënduar nga Artisti i Merituar Dhimitër Varfi dhe që këndohet nga pasuesja e denjë e këngës himarjote Katina Beleri. Ndërsa nëse do të vëmë re tekstin original, botuar në përmbledhjen “Lyra” me autor Petraq J. Pali, sipas shënimeve të babait të tij Janko LL. Pali, kemi disa ndryshime, si në anën ndërtimore të vargut e strofës, ashtu edhe në disa ndryshime përsa i përket fjalëve.
Sipas Petraq J. Palit, strofa e fundit e kësaj kënge nuk përmbahet në pllakën origjinale të Neço Mukës, ndërsa ne e gjejmë në tekstin e këngës që këndohet edhe sot.
Një ndryshim tjetër vihet re edhe në ndërrimin e strofave. Në tekstin original, strofa:

Syri yt më tret,
zëri yt më vret,
moj Katina nina-nina,
bukuri je vet.

në radhë është pas strofës “Pa dil në penxher’”. Mendoj se këto kanë ardhur si rrjedhojë për mbarëvajtjen e këngës.
Frymëzimin për këtë këngë Neço Muko e ka marrë nga jeta reale në Himarë. Tregojnë, në ato vite, kur është shkruar kënga, ka qenë një mësuese në Himarë, po me këtë emër që autorit i ka bërë përshtypje për bukurinë e saj dhe e ka frymëzuar poetin për të shkruar këtë tekst kënge.
Në variantin original të saj, vëmë re se kemi të bëjmë me strofa dyshe, pra me dy vargje, ku vargu i dytë shërben si refren, pas çdo marrje. Pra kemi të bëjmë me një varg dhjetërrokësh, ndërsa refreni na del me një dymbëdhjetë ose trembëdhjetërrokësh.
Nëse do ta shkruanim në strofa katërshe, këtu kemi të bëjmë me një pesërrokësh në vargun e parë dhe të dytë, ndërsa vargu i tretë na del një tetërrokësh dhe vargu i katërt na del po një pesërrokësh, si vargjet e para, të cilat kanë edhe të njëjtën rimë.
Bukuria e saj e ka mahnitur autorin, ndaj edhe ai shprehet:

“Fol një her’ me goj’,
thuam’ të shpresoj,
moj Katina nina-nina,
pa ty s’mund të rroj”.

Është me të vërtetë një lirikë shumë e bukur, e shkruar me dëshirë e mall të zjarrtë për këtë femër që autorit i ka lënë mbresa të pashlyeshme pas largimit të saj nga Himara.
Një këngë tjetër, lirikë e bukur, është edhe kënga “Marikë, moj, e dashur-o”.
Kjo këngë na del me dy variante të shkruari. Njëra është sipas botimit të përmblrdhjes të librit “Lyra”, përgatitur për botim nga Petraq J. Pali ( 44011. Këngë popullore) dhe variant tjetër sipas të kënduarit nga grupi i Himarës.
Për korrektesë, ne po i japim të dyja variantet.
Varianti sipas përmbledhjes së Petraq J. Pali.

MARIKË, MOJ, E DASHUR

Marika moj, e dashur,
ku je, ku kishe vajtur-ë.

Shkova një herë në shtëpi,
më thanë: s’jeshe brenda ti.

Vërtet fjalën a po më qesh,
më duket je njeri pa bes’.

Mari’ e parë jo, moj jo,
nuk jam…, po le ç’e do.

Marika ti më ëmbëlson,
ti më kënaq, ti më shëron.

Ç’e ti lam’ fuqia ra,
fajin e ke ti, moj Marika –o.

Varianti i këngës sipas të kënduarit sot nga grupi i Himarës me marrëse Katina Beleri.

MARIKË, MOJ, E DASHUR-O

Marika moj, e dashur-o,
ku je, ku kishe vajtur-o.

Erdha një ditë në shtëpi,
më thanë që s’jeshe brenda ti.

Vërtet djal-o a po më qesh,
më thanë se je njeri pa bes’.

Marikë, moj aman-aman,
e të kam shpirt e të kam xhan.

Ç’e do tani, fuqia ra,
faj’n e ti, mor maskara.

Të shtatat thika, ja ku i kam,
me një ma more shpirt e xhan.

Marika, moj ti je, moj je,
shtatin ma ke si minare.

E në je burr’ me trimëri,
ç’ke për ta bërë, bëje tani.

Pra, siç shihet, boshti i këtyre dy varianteve është i njëjtë, por që kemi ndryshime, shtesë vargjesh që për mendimin tim e plotësojnë më së miri fizionominë e këngës. Nuk dihet në se autori Neço Muko, pas regjistrimit të kësaj kënge i është rikthyer për ta përpunuar variantin e dytë apo është përpunuar nga dikush tjetër. Madje duhet thënë, se në dy vargjet e parafundit, ndeshim edhe një variant tjetër:

Marika, moj, për perëndi,
më je si top dyzet e di.

Ndoshta mund të themi se ky tekst kënge, siç e përmendëm edhe më lart ka patur disa përpunime.
Në variantin e parë të këngës, mendoj se qëllimi për të cilin është shkruar nuk del i plotë dhe aq i plotë sa në variantin e dytë të përpunuar.
Në variantin e parë, Marika sa e skicon pabesinë e djalit, ndërsa ai kërkon ta shmang këtë pabesi të tij duke i thurur elozhe, ndërsa në variantin e dytë të përpunuar pabesia e djalit del më e plotë. Ajo ia vë në dukje pabesitë e tij, ndaj me një vendosmëri i kërkon të lozet finalja e kësaj tragjedie, kur shprehet:

E në je burr’ me trimëri,
ç’ke për ta bërë, bëje tani.

Të dyja përpunimet plotësojnë njëra-tjetrën, por nuk do të pranoja kurrësesi një përpunim të kësaj perle, të cilën e ka kënduar Fatbardha Aliçka ( Maya) nën termin e shpikur “turbofolk”.
Megjithëse e kam trajtuar këtë gjë edhe në një shkrim të veçantë. Dihet që këto lloj përpunimesh janë për efekt përfitimi monetar, por nuk duhen lejuar kurrësesi shtrëmbërime të tilla deri në absurditet, duke e kthyer figurën e një femre, siç është Marika në këngën e mësipërme, në pijanece të rëndomtë. “Turp e marre” është një shprehje shkodrane. “Turp” për ata që i përpunojnë këto perla të polifonisë dhe “marre” për ata që i publikojnë dhe për instancat që e kanë për detyrë të mbrojnë e të ruajnë vlerat shpirtërore të popullit tonë.
Pak më lart përmendëm se përveç lirikës që vihet re në këngët himarjote të Neço Mukës, një vend të rëndësishëm zë edhe tema patriotike. Mjafton të përmendim këngën kushtuar Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të parë shqiptar, me Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912. (sipas pllakës 44021, kënduar prej K. Çakalli, N.H. Marjoti, P. Kokaveshi e A. Bala)
Teksti i kësaj kënge është shkruar në monokolonë, me një rimë alternative ABAB, me një varg tetërrokësh.
Ja se si e mbyll poezinë e tij autori:

“Evropa le ta dëgjojë
që ka djelm Shqipëria,
Skënderbenë do ta nderojë,
do ta shkruajë historia”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com