A nuk ju ka marrë malli dhe ju për një byrek të ëmbël me kungull si ai nga duart e gjysheve tona? Dietologia Blerina Bombaj sjell një recetë fantastike për ta gatuar. E konsumoni si një vakt ndryshe gjatë ditëve të nxehta të verës.
Ja përbërësit (10 racione): 1 kg kungull të grirë në rende; 2 lugë të mëdha me gjalpë; 5 vezë; pak kanellë; 1 filxhan çaji rrush të thatë; 1 filxhan çaji arra; 5 lugë të mëdha, niseshte; 7 petë të holla; 1 filxhan çaji susam; 1 filxhan çaji sheqer kaf; 1 gotë qumësht.
Receta dhe përgatitja: Fillimisht në një tenxhere hidhni 2 lugë gjalpë dhe kavardisni kungullin. Pasi kavardisët shtoni qumështin, e lini në zjarr të avashtë sa të pijë lëngun.
Hiqni nga zjarri, i shtoni rrushin e thatë, arrat, vezët, niseshtenë. I përzieni mirë dhe në fund i hidhni kanellën. Shtroni në tepsi 7 petë të holla.
Hidhni mbushjen sipër petëve dhe anësoret i mblidhni nga lart. Sipër i hidhni susamin dhe e piqni për 30 min në 180 gradë.