Renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit, vazhdon të mbetet një atraksion turistik me një numër në rritje të vizitorëve. Për periudhën janar-korrik 2018 shënohet numri 3132 i vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku numri i vizitoreve shënonte 2636.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis , i cili shumë shpejt do t’i nënshtrohet projektit madhor të konservim-restaurimit. Ministria e Kulturës sapo ka hartuar projektin madhor të këtij parku, i cili parashikon konservim dhe restaurim të monumenteve, përmirësim të infrastrukturës, vendosjen e sinjalistikës, etj. Nëse Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik, transmeton atsh.
Vizitorët që shkojnë në Bylis, mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë.