Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Itali, tashmë mund të aplikojnë për bursa deri më 12 nëntor të këtij viti.
Falë bashkëpunimit të ngushtë me Universitetin e Studimeve të Tuscia në Itali në programin “Erasmus + KA1”, rreth 12 studentë nga Universiteti i Tiranës do të kryejnë një semestër të plotë në këtë universitet në Viterbo të Italisë për vitin akademik 2018-2019.
Thirrja do të qëndrojë e hapur deri më datën 2 nëntor për të gjithë studentët e interesuar, ndërsa bursat e studimit do të përfshijnë nivelin “Bachelor” dhe “Master”, nga një semestër secili.
Lidhur me dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar në nivel “Bachelor” dhe “Master”, këto të fundit përfshijnë: CV (në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit), kopjen e pasaportës, vërtetim studenti, listë notash e nivelit “Master” (të përkthyer zyrtarisht në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit), listë notash dhe diplomë e nivelit “Bachelor” (të përkthyer zyrtarisht në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit), letër motivimi në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit;
– Certifikatë e gjuhës së huaj (Anglisht B1/Italisht B1), Learning Agreement (kontratë midis universitetit të origjinës dhe aplikantit dhe shërben për të përcaktuar lëndët që do të zhvilloni në universitetin pritës).
Dokumentacioni duhet dorëzuar fizikisht në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Drejtoria e Komunikimit, Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë si dhe të skanuara në formatin PDF në adresën [email protected] . /atsh