Loading...

BE kërkon arrestime të niveleve të larta, në Tiranë ekspertë gjermanë për zbulimin e parave të pushtetarëve

Ndërkombëtarët kanë nisur përgatitjet për arrestime në nivele të larta. Bashkimi Europian ka kërkuar të ngrihet SPAK dhe të ketë arrestime pushtetarësh. Prej afro një muaji një grup ekspertësh pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave kanë qendruar në Gjermani, ku janë trajnuar për të zbuluar paratë e pushtetarëve shqiptarë.

Mësohet gjithashtu se në Tiranë kanë mbërritur ditët e fundit një grup ekspertësh gjermanë dhe nga vende të tjera të BE që po shohin nga afër dosjet që ka Drejtoria e Pastrimit të Parave. Ata po kryejnë trajnime dhe po japin asistencë për të goditur në nivelet më të larta.

Gazeta ”SOT” shprehet se DPPPP ka në dorë dosje për një numër të madh zyrtarësh. Për shkak të lidhjeve politike dhe për shkak të efikasitetit të dobët të prokurorisë, ato dosje asnjëherë nuk kanë shkuar pranë organeve të drejtësisë. Aty përmenden emra politikanësh, deputetësh, ministrash, gjyqtarësh e prokurorësh që kanë pasuri të dyshimtë brenda e jashtë vendit. Ka shumë nga ata që kanë dërguar paratë në Londër, Zvicër e shtete të tjera, por që shumica janë zbuluar. Teksa BE kërkon goditje në nivele të larta, duket se tashmë do hyjë në lojë Drejtoria e Pastrimit të Parave. Një shembull është Adriatik Llalla. Ishte kjo drejtori që kishte kopsitur dosjen e tij prej vitesh dhe sapo nisi lufta mes tij dhe SHBA dhe në media po dilnin aferat, atëherë të dhënat ju vunë në dispozicion prokurorisë. Fatin e Llallës mund ta kenë dhe shumë emra të tjerë në nivele të larta.

15 politikanë të dyshuar për pastrim parash

Një pikë mjaft interesante e raportit vjetor të DPPPP për vitin 2017 është ajo që zbulon përfshirjen e politikanëve në transaksione. Në raport shkruhet se gjatë vitit që lamë pas, plot 15 persona të ekspozuar politikisht (PEP) janë të përfshirë në transaksione të dyshimta. Në rast se bëjmë një krahasim të vogël me vitin 2016, kuptohet që përgjatë vitit të shkuar numri i njerëzve që kanë lidhje me politikën është rritur në 2017. Më konkretisht, në 2016 kanë qenë vetëm 4 persona të ekspozuar politikisht të përfshirë në transaksione të dyshimta, ndërsa në 2017 ky numër ka shkuar në 15.

Ndërkohë, disa nga metodat e tjera që përdoren nga pushtetarët për pastrimin e parave janë edhe kryerja e një aktiviteti ekonomik fiktiv, këmbimet valutore në vlera të larta (17 raste gjatë 2017), përdorimi i dyshimtë i kredive bankare (4 raste në 2017) apo edhe mashtrimi kompjuterik ku gjatë 2017 janë konstatuar 16 raste të tilla. Ndër të tjera, në raport thuhet se për disa kategori të subjekteve raportuese vërehet zgjerim i fokusit të analizave që ata kryejnë, duke përfshirë jo vetëm transferta të shpeshta dhe në vlera të larta, por edhe raste të dyshimta për transferta të kryera me vende të cilësuara me risk për trafikim të lëndëve narkotik.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com