Loading...

Basha me pushime/ Përgatit qeverinë hije kundër Ramës, ja emrat

Ditët e fundit, Lulzim Basha ka humbur, për ata që e kërkojnë, kreu i opozitës është zhvendosur me pushime. Kuptohet që edhe lideri i opozitës do të bëjë pushime, ne nuk jemi në Rumani që të bëjmë protesta.

Lideri në mungesë i opozitës fillimisht ka shkuar në vilën e tij në Hollandë ku ka ujitur lulet dhe ajrosur shtëpinë, ndërsa më pas ka filluar të nxihet në diell.

Mësohet se në këto ditë pushimi, pas vaditjes, freskisë në Hollandë dhe çlodhjes që po bën në plazhet dhe resorted ekzotike, kanë dhënë efektet e para te Lulzim Basha. Ai ka përgatitur qeverinë hije të cilën pritet ta prezantojë në shtator.

Shpesh Lulzim Basha bën lista ministrash, për të nxitur strukturat e partisë, duke ju dhënë funksione dhe duke i quajtur ministra, të cilët i vendos përballë qeverisë së Edi Ramës.

Mësohet se qeveria hije e Lulzim Bashës ka disa emra të rëndësishëm dhe ka pësuar shpesh ndryshime. Kjo sipas performancës së secilit politikan rreth tij, por edhe lëpirjes që kanë pranë kunatit apo familjarëve dhe të afërmve të Lulzim Bashës.

Mësohet se ministër i Brendshëm do të jetë Ervin Salianji, i cili pas nxjerrjes së videos së audio-përgjimit me “Babalen”, tashmë e ka të padiskutueshëm këtë post.

Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të jetë ylli në ngjitje, i shkëlqyeri në shkollat britanike, në i papërsëritshmi nga gjithë të tjerët Klevis Balliu.

Ndërkohë një vend të rëndësishëm në kabinetin qeveritar pritet të marrë Tritan Shehu, i cili pritet të jetë ministër i Jashtëm.

Tek Integrimi duket se do të shkojë Kreshnik Çollaku, njeriu i cili po drejton grupin e këshilltarëve të PD-së, në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe po bën betejat me Erion Veliajn.

Më tej mësohet se edhe Oriola Pampuri, një nga dy “Çilistët” e Tiranës, do të ketë një vend në kabinetin e ri qeveritar. Pampuri pritet të marrë drejtimin e ministrisë së Mjedisit.

Nga ana tjetër, Niko Peleshin pritet ta zëvëndësoje Myslym Murrizi. Ka ende emra të tjerë, për shembull flitet që Lulzim Basha në listën e tij nuk e përjashton kurrë Dhurata Çupin, e cila pritet të marrë postin e ministres së Transporteve.

Nga ana tjetër Agron Shehaj do të jetë zv.kryeministër dhe ministër i Financave. Gjithashtu mësohet se Lulzim Basha në këtë listë do të përfshijë edhe disa njerëz nga shoqëria civile, apo aktivistë të ndryshëm. Në kabinetin e tij qeveritar do të ketë edhe emra të cilët pritet të ngelen surprizë.

Mësohet se kjo listë ende nuk i është komunikuar pjesës së ngushtë të stafit të tij, por flitet që në ditët në vijim, Dasada Metaj, kryeredaktore  “Opinionit” të Blendi Fevziut, ta shpërndajë këtë listë në media, ku pritet të shtojë edhe emrin e saj si Sekretare e Përgjithshme e Kryeministrisë.

Ndërkohë në oborrin bosh të godinës së SHQUP-it, pritet që në shtator të fillojnë përplasjet dhe kjo ka të bëjë me riorganizimin që do të zhvillojë Partia Demokratike.

Ky riorganizim do të masë edhe një herë forcat dhe ndoshta do të rikonfigurojë më tej kabinetin hije të Lulzim Bashës, ku një vend të rëndësishëm pritet të kenë edhe figura si Arben Ristani, i cili mund të marrë postin e ministrit të Mbrojtjes, apo te ministria e Drejtësisë, ku pritet të shkojë Enno Bozdo.

Ndërkohë Fatbardh Kadilli, një nga personazhet e rëndësishëm të Partisë Demokratike, pritet të jetë zv.kryeministër dhe ministër për marrëdhëniet me parlamentin./ Satirë politikebP.s: Mos qeshni, por qani!/Cna.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com